Telegrafi

Gazetarja amerikane e pyet Putinin: Nga çfarë keni kaq shumë frikë?

Gazetarja amerikane nga mediumi ABC News Rachel Scott u konfrontua të mërkurën me presidentin rus Vladimir Putin për shtypjen e tij ndaj kundërshtarëve politikë.

“Lista e kundërshtarëve tuaj politikë të cilët kanë vdekur ose burgosur është e gjatë … dhe ju tani keni parandaluar cilindo që mbështet [udhëheqësin e opozitës ruse Alexey Navalny] të kandidojë për zyrë”, tha Scott. “Prandaj pyetja ime është, nga çfarë keni kaq shumë frikë”?

Pyetja nga Scott erdhi gjatë konferencës për shtyp të Putinit pas takimit të udhëheqësit rus me presidentin Joe Biden.

Putini u përgjigj duke e përshkruar organizatën e themeluar nga Navalny, të cilin ai nuk e përmendi me emrin, si “ekstremiste” në natyrë dhe tha se kishte kërkuar “çrregullim masiv” dhe thyer ligje, transmeton Telegrafi.

Putini më pas iu referua protestave të Black Lives Matter dhe tha se kishte “çrregullim” dhe “shkatërrim” në SHBA pas vdekjes së George Floyd, të cilin ai gjithashtu nuk e përmendi me emër.

Scott e hodhi poshtë dredhinë e Putinit, duke i thënë drejtpërdrejt udhëheqësit rus: “Ju nuk iu përgjigjët pyetjes time, zotëri”.

“Nëse të gjithë kundërshtarët tuaj politikë janë të vdekur, në burg, të helmuar – a nuk dërgon kjo një mesazh që ju nuk doni një luftë të ndershme politike”?, pyeti Scott përsëri.

Putini më pas përmendi sulmin e 6 janarit në Capitol Hill në SHBA, duke ngritur paralele mes tyre dhe kundërshtarëve politikë të Putinit të burgosur në Rusi.

“Ata përballen me dënime me burg deri në 20, ndoshta edhe me 25 vjet. Ata po quhen “terroristë të brendshëm”. Ata po akuzohen për një numër krimesh të tjera”, shtoi ai.

Përpara samitit, Biden paralajmëroi Putinin se vdekja e Navalny do të ishte “një tregues tjetër se Rusia ka pak ose aspak synim të respektojë të drejtat themelore të njeriut”. /Telegrafi/