Telegrafi

Gazetari specialist për transferimet e lojtarëve, Fabrizio Romano, e ka befasuar futbollistin japonez me informacione: As gruaja ime nuk e dinte për këtë ofertë

Mbrojtësi japonez Maya Yoshida ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me Schalke 04 dhe në profilin e tij në Twitter ka vlerësuar informacionet e dhëna nga gazetari sportiv Fabrizio Romano, duke thënë se as gruaja e tij nuk i ka ditur ofertat e mëparshme që ai ka refuzuar.

Yoshida mbërriti te Schalke nga Sampdoria si lojtar i lirë për shkak se i kishte skaduar kontrata me këtë klub nga Italia dhe pasi mbërriti në Gjermani ai iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore dhe nënshkroi kontratë njëvjeçare.

“Specialisti i transferimeve”, Fabrizio Romano, ishte i pari që njoftoi se Yoshida do të bëhet lojtar i ri i Shalkes dhe shtoi gjithashtu se japonezi refuzoi ofertën e Trabzonspor nga Turqia, gjë që e habiti veçanërisht Yoshidan.

“Ky njeri është një mrekulli! As gruaja ime nuk e dinte për Trabzonsporin”, ka shkruar Yoshida.

33-vjeçari në karrierën e tij të deritanishme ka luajtur për Nagoya Grampus, nga ku erdhi në Evropë në vitin 2010 dhe nënshkroi për Venlo.

Pas dy sezonesh në këtë klub, ai u bashkua me Southampton, ku luajti për tetë vjet, dhe më pas luajti për Sampdoria për dy vjet.

Ai bëri debutimin e tij për kombëtaren japoneze në vitin 2010. /Telegrafi/