Gazetari i famshëm Laurie Whitwell, ka zbuluar saktësisht se cilat janë planet e Ruben Amorim sa i përket transferimit të tij të ardhshëm tek Manchester United.
Teksa kanë mbetur vetëm edhe pak ditë para mbylljes së afatit kalimtar të janarit, Unitedi ka qenë mjaft i qetë në tregun e transferimeve, pasi ende nuk kanë njoftuar blerjen e ndonjë lojtari të ri.
Reprezentuesi danez Patrick Dorgu pritet që të jetë blerja e parë e Amorim si trajner i Unitedit, pasi raportimet sugjeruan se klubi anglez ka arritur marrëveshje me Leccen për shumën e 25 milionë eurove.
Me transferimin e Dorgut pothuajse të përfunduar, tifozët e United kanë filluar të mendojnë se kush mund të jetë lojtari i ardhshëm që do të zbarkojë në ‘Old Trafford’, dhe tashmë ka një emër.
Që prej se iu bashkua Unitedit, Amorim ka udhëhequr ekipin e tij drejt tetë fitoreve në 17 ndeshje, duke shënuar 32 gola gjatë këtij procesi.
Megjithatë, Amorim qartësisht është duke kërkuar që ekipi i tij ta gjejë rrjetën më shpesh dhe për këtë arsye i ka dhënë prioritet transferimit të një sulmuesi të ri.
Një tifoz i shtroi pyetjen gazetarit nëse ka ndonjë pozicion të qartë të cilin Amorim dëshiron ta përforcojë, dhe a janë të vërteta thashethemet për Viktor Gyokeres.
“Një sulmues për të vrapuar nga mbrapa. Gyokeres i përshtatet planeve të Amorim natyrisht”, ka thënë Whitwell.
Megjithatë, transferimi i Gyokeres gjatë këtij muaji është pothuajse i pamundur, andaj ‘Djajtë e Kuq’ duhet të vazhdojnë të besojnë tek dyshja Rasmus Hojlund dhe Joshua Zirkzee të paktën deri në verë./Telegrafi/