Site icon Telegrafi

Gazetari Halil Berisha dëshmon në Speciale: Më keni obliguar të jem këtu, nuk jam i lumtur që gjendem këtu

Gazetari Halil Berisha, është duke dhënë dëshminë e tij si dëshmitari i dytë i Dhomave të Prokurorit të Specializuar në gjykimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Berisha u shpreh se është obliguar të shkojë për të dëshmuar aty dhe shtoi se nuk është i lumtur për këtë fakt.

“Unë veç desha të them që nuk jam shumë i lumtur që sot jam këtu për të dëshmuar para juve. Kjo assesi nuk do ta pengojë faktin që unë do ta them vetëm të vërtetën. Megjithatë, unë këtu jam sepse më keni obligu. Por përndryshe, nuk jam shumë i lumtur që gjendem këtu”, theksoi Berisha.

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur më herët se Halil Berisha, i cili ka punuar si gazetar për median kosovare Gazeta InFokus në shtator të vitit 2020, është dëshmitari i dytë i ZPS-së në gjykimin ndaj Gucatit dhe Haradinajt.

Dëshmitari është detyruar të paraqitet për të dëshmuar sipas rregullës 121(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së dhe ndihmohet nga një mbrojtës kujdestar.

Me Berishën në sallën e gjyqit gjendet edhe avokati Arianit Koci.

Ndryshe, në shtator të vitit të kaluar hetues nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë kishte marrë të ashtuquajturat “dosje sekrete” nga Gazeta Infokus.

Kjo ka ndodhur pasi një ditë më parë ata në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kishin shkuar për të marrë njërën nga kopjet e dokumenteve që kjo organizatë nëpërmjet një konference për media treguan se një i panjohur i ka sjellë mijëra faqe dosje e dokumente nga Specialja.

E kopje të këtyre dokumenteve i kishte siguruar gazetari i Infokusit, i cili ishte kontaktuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ku iu është bërë kërkesë që hetues të saj të vijnë e të marrin dosjet.

Të njëjtit kanë qenë po gjatë asaj dite dhe kanë marrë kopjen e dokumenteve.

Sipas raportimit të Gazetës Infokus, dokumentet të cilat i kishin ata për shkak të ndjeshmërisë së lartë ishin ruajtur me kujdesin më të madh, duke mos cenuar asnjë informatë të ndjeshme. /Telegrafi/

Exit mobile version