Site icon Telegrafi

Gazetari amerikan dënohet me 11 vjet burg në Mianmar

Një gjykatë ushtarake ka dënuar gazetarin amerikan, Danny Fenster me 11 vjet burg.

Fenster, një 37-vjeçar nga Detroit, Michigan, është arrestuar në Mianmar për më shumë se pesë muaj. Atij i është mohuar lirimi me kusht dhe është mbajtur në burgun Insein, në qytetin më të madh të vendit Yangon, që nga arrestimi i tij më 24 maj, raporton cnn.

Në një seancë gjyqësore të premten, avokati i tij, Than Zaw Aung tha se Fenster u shpall fajtor për tre akuza të ngritura nga ushtria e Mianmarit, e cila mori kontrollin e vendit në një grusht shteti më 1 shkurt, transmeton Telegrafi.

Këto akuza përfshijnë shkelje të vizave, shoqërim me një grup të paligjshëm dhe nxitje sipas nenit 505a të Kodit Penal të Mianmarit, i cili e bën krim publikimin ose qarkullimin e komenteve që “shkaktojnë frikë” ose përhapin “lajme të rreme”.

Fenster iu dha gjithashtu një gjobë në monedhën vendase ekuivalente me 50 dollarë. Fenster është një nga rreth 100 gazetarët e arrestuar që nga grushti i shtetit. Rreth 30 mbeten pas hekurave.

Në fillim të kësaj jave ai u godit me dy akuza të reja penale sipas ligjeve të vendit për kryengritje dhe terrorizëm, të cilat parashikojnë një dënim maksimal me burgim të përjetshëm, tha avokati i tij.

Nuk ishte menjëherë e qartë pse akuzat janë ngritur kundër ish-redaktorit menaxhues të Frontier Mianmar, një gazetë e pavarur e lajmeve që mbulonte çështjet aktuale, biznesin dhe politikën në Mianmar.

Fenster u arrestua në aeroportin ndërkombëtar Yangon teksa po përpiqej të largohej nga vendi për të vizituar familjen në Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/

Exit mobile version