Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Varfërisë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës mbajti edicionin e 14-të të ndarjes së çmimeve vjetore “Çmimi i gazetarisë për varfërinë”.
Çmimi për video-storien e shkurtër më të mirë i është ndarë gazetares Rejhane Selimi, nga Klan Kosova.
Dokumentari më i mirë ishte nga autorja Kaltrina Rexhepi Dragusha, nga RTK. Ndërsa, çmimi audio-storia më e mirë i është ndarë gazetares Bardha Shkreli, të Radio Kosovës.
Çmimi për storien e shkruar më të mirë iu nda Besnik Boletinit, ndërsa për fotografinë më të mirë u shpërblye fotoreporteri Arben Llapashtica.
Kryetarja e Bordit të AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, deklaroi se janë gazetarët, xhiruesit e fotoreporterët që më së shumti kontribuuan në luftimin e varfërisë, ndërsa shtoi se politikbërsitë janë fjalë plotë kundër varfërisë vetëm në fushata zgjedhore.
“Më shumë se nga kolegët tanë, janë politikanët kosovarë ata nga të cilët më së shumti u dëgjua fjalë për luftimin e varfërisë, mirëpo janë kolegët tanë që në të vërtet kontribuuan për luftimin e varfërisë. Ata (politikanët) vetëm u dëgjuan dhe kryesisht para fushatave zgjedhore në Kosovë”, deklaroi Begolli Pustina.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga theksoi se Kosova ka një shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë së skajshme. Ajo tha se shifrat aktuale mbi varfërinë do të ishin edhe më të lartë sikur të mos kishte përkrahje financiare ndërkombëtare dhe nga mërgata.
Jahjaga tha se për të zhdukur varfërinë, Kosova duhet të krijojë vende të reja pune dhe zhvillim socio-ekonomik.
“Zhdukja e varfërisë është një ndër sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohen vendet e ndryshme, sidomos ato në tranzicion, siç është edhe rasti i shtetit tonë, Kosova. Shifrat zyrtare mbi varfërinë në Kosovë janë shqetësuese, me mbi 30 përqind e popullatës në Kosovë është e papunë, mbi 17 përqind jetojnë në varfëri, prej të cilëve mbi 5 përqind të tyre në varfëri të skajshme dhe kjo fatkeqësisht i prekë të gjithë qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve pa dallim”, deklaroi Jahjaga.
Po ashtu, të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, e cila tha se shpërblimet e tilla për gazetarë kanë rëndësi edhe për shoqërinë kosovare.
Ajo tha se varfëria nuk luftohet vetëm me rritje ekonomike.
“Gazetarët njoftojnë pjesën tjetër të shoqërisë lidhur me këto rrëfime dhe në veçanti politikë bërësit, sepse kjo nuk arrihet vetëm me rritjen e zhvillimit ekonomik. Kemi parë që Kosova ka pasur rritje ekonomike, mirëpo nuk është shndërruar në vende të reja pune. Pra, ka të bëjë me sistemin e mbrojtjes sociale, i cili duhet të jetë më i nxitur dhe i zhvilluar”, pohoi Richardson.
Ndërsa, fituesit e çmimeve u shprehën të kënaqur për vlerësimin e punës kundër varfërisë, raporton KosovaPress./Telegrafi/