Dy gazetarë rusë të ‘Noboctnoi Front’, Oksana Sazonova dhe Sergej Belous, janë arrestuar mbrëmë rreth orës 18:30 në Hoçë të Madhe afër Rahovecit, ndërsa kanë qenë të shoqëruar edhe nga ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Zvonko Mihajlloviq, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Sipas këtyre burimeve, gazetarët rusë kanë hyrë ditë më parë ilegalisht në territorin e Kosovës tek vendi i quajtur Izvore në veri të Kosovës, ku pjesën më të madhe të rrugës janë udhëhequr nga një person i nacionaliteti serb, identiteti i të cilit nuk dihet.
Mësohet se ata sot do të dalin para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa për lirimin e tyre janë angazhuar edhe përfaqësues të ambasadës ruse në Kosovë
Sipas informatave, gazetarët rusë kanë injoruar shtetin e Kosovës duke mos u pajisur me vizë.
Arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Ai i ka thënë KosovaPress-it se dje rreth orës 18:30, në Rahovec, nga Policia e Kosovës janë ndaluar për verifikim dy shtetas të huaj, të cilët dyshohen se kanë kaluar kufirin në mënyrë ilegale.
“Autoritetet e Policisë Kufitare të Republikës së Kosovës janë duke trajtuar rastin, përderisa personat e ndaluar janë duke u mbajtur në qendrën për të huaj deri në vendimin e ardhshëm apo largimin e tyre nga Kosova. Të gjitha vendimet e mëtejmë do të ndërmerren konform ligjeve të aplikueshme në fuqi”, ka thënë ai.