Site icon Telegrafi

Gazetarët: Kosova 3-3 Shqipëria

Takimi i parë i gazetarëve ishte afër stadiumit të Prishtinës, ku më pas me autobusin e tyre edhe disa gazetarë kosovarë, morën rrugën drejt Mitrovicës, pasi atje ishte caktuar që të zhvillohej ndeshja, në terrenin e fushës artificiale “Australia”.

Rezultati i ndeshjes ishte në plan të dytë dhe pas 60 minutave të zhvilluara, ndeshja u mbyll baras 3-3. Fillimi i ndeshjes u takoi kosovarëve, të cilët qysh në fillim arritën të kalojnë në epërsi, ku nga pika e bardhë realizoi Bekim Devaja.

Por edhe përkundër këtij goli, gazetarët nga Shqipëria nuk u ndalën dhe arritën që ta barazojnë rezultatin në 1-1, përmes Sokol Gjoshit, gol me të cilin përfundoi pjesa e parë e takimit. Në pjesën e dytë gjërat shkuan më mirë për mysafirët në 15 minutat e para, ku arritën që të shënojnë dy gola.

Së pari realizoi Erold Kodeli, kurse me pas nga pika e bardhë realizoi Glenti Nallbani për rezultatin 1-3. Kur u mendua që fitorja do t’u takoi gazetarëve nga Shqipëria, kosovarët reaguan duke realizuar dy here për rezultatin 3-3.

Ishte Ejup Llumnica ai që shënoi golin e dytë, kurse për epilogun përfundimtar të takimit realizoi Moral Pozhegu.

Përzgjedhës të gazetarëve kosovarë, ishin Baki Berisha e Driton Latifi, kurse te gazetarët nga Shqipëria, Elert Yzeiri.

“Faleminderit për këtë pritje që na keni bërë. Kjo është një mundësi e mirë që ne të bashkëpunojmë edhe më shumë ndërmjet vete. Ne kemi kontakte me gazetarët e sportit, por ky takim sot do të jetë një takim që ne të bashkëpunojmë më shumë”, ka thënë Yzeiri për Zëri.

“Është ndeshje shumë me rëndësi dhe tejet e mirëseardhur për gazetarët kosovarë, pasi në këtë mënyrë kemi mundësi të shkëmbejmë përvojat tona, të paktën me ndeshje të tilla. Me këtë rast falënderoj kolegët tanë të Shqipërisë, të cilët na nderuan me ardhjen e tyre, veçmas me rastin e pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Berisha. /Telegrafi/

Exit mobile version