Site icon Telegrafi

Gazetarë të huaj hedhin në gjyq përgjimin nga BND

Shërbimi Federal Informativ lejohet të përgjojë komunikimin elektronik të gazetarëve të huaj. Tani persona potencialisht të prekur paraqitën ankesë për shkelje të të drejtave kushtetuese.

Që prej janarit 2017, Shërbimi i fshehtë Gjerman (BND) për botën e jashtme mund të bëjë pa e vrarë ndërgjegjja atë që ka bërë vite me radhë ilegalisht: të përgjojë gazetarët. Lejen për këtë e dha Bundestagu, pas zbulimeve të Edward Snowdenit. Në kuadër të aferës së përgjimeve të NSA, të cilën e bëri publike Snowdeni u bë e ditur edhe se Shërbimi Informativ Federal gjerman bashkëpunonte ngushtë me NSA. Me skandalin transatlantik të përgjimit u mor për tri vjet me radhë edhe një Komision Hetimor Parlamentar, i cili paraqiti në verë 2017 raportin e tij përfundimtar. Në të, deputetët paraqisnin shkelje të shumta dhe sistematike të nenit 10 të Ligjit Themelor për sekretin e Postës dhe Telekomunikimit.

Të Gjelbrit opozitarë dhe të Majtët vazhdojnë ta refuzojnë në parim përgjimin pa pasur dyshim konkret. Konservatorët (CDU/CSU) dhe Socialdemokratët (SPD) nga ana tjetër e reformuan ligjin e BND-së sipas kuptimit të ligjit të shërbimit të fshehtë për botën e jashtme. BND tani lejohet që të spiunojë shtetet anëtare të BE dhe institucionet e tyre. Për shembull, kur bëhet fjalë për rreziqe për sigurinë e brendshme dhe të jashtme ose në përgjithësi kur bëhet fjalë për aftësinë e Gjermanisë për të vepruar.

Gazetarët e huaj duhet të presin në çdo kohë që të vihen në shënjestër të BND-së dhe të shërbimeve partnere ndërkombëtare. Sepse ata lejohet që në raste të caktuara t’i këmbejnë të dhënat e tyre, para së gjithash në luftën e përbashkët anti-terror dhe në mbrojtje të Bundeswehrit në misionet në botën e jashtme. Gjermanët teorikisht nuk lejohet të përgjohen, por praktikisht janë gjithashtu të rrezikuar, mendon rrjeti i përbotshëm i gazetarëve “Reporterë pa kufi” (RPK).

Së bashku me pesë organizata të tjera të shoqërisë civile, RPK ka paraqitur që në shtator ankesë në Gjykatën Kushtetuese Gjermane në Karlsruhe. Të martën këto shoqata paraqitën në Berlin aktakuzën që përmban 93 faqe. Si palë akuzuese janë gazetarë nga shtatë vende të ndryshme. Midis tyre është gazetari investigativ Raul Olmos – ai bënte pjesë në një ekip ndërkombëtar, i cili analizoi “Paradise Papers”.

Për gazetarë si Olmosi, ligji i BND paraqet një rrezik të veçantë, mendon drejtuesi ekzekutiv i RPK Christian Mihr. Ai ka bashkëpunuar në kërkimet për “Paradise Papers” me kolegë nga BE, edhe me të tillë nga Gjermania.

Komunikimi i gazetarëve gjermanë teorikisht është i mbrojtur, thotë Mihr në bisedë me DW. “Por komunikimi i Raul Olmosit nuk është i mbrojtur”. Prandaj indirekt edhe “gjermanët janë direkt të përgjuar”. Këtë “logjikë” synon të kapërcejë ankesa për shkelje të të drejtave kushtetuese. /DW

Exit mobile version