Site icon Telegrafi

Gazeta zvicerane “NZZ”: Thaçi dhe Vuçiq garantues të stabilitetit

Presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Serbisë janë garantuesit e procesit paqësor në mes të dy vendeve. Me këtë, ata dy janë edhe shtyllat kryesore të politikës së BE-së për stabilizim. Kështu shkruan Andreas Ernst, njohës i politikës së Ballkanit dhe korrespondent i gazetës NZZ të Zvicrës për Evrpopën Juglindore.

Të shumtën janë “skifterët” ose “fajkonjtë” dhe jo “pëllumbat”, ata që pas lufte provojnë hapat e parë drejt paqes. Po kjo vlen edhe për konfliktin e Kosovës, shkruan NZZ.

Nga ana serbe ka qenë një ish ultranacionalist dhe nga ana kosovare ish shefi i gueriles, ata që në vitin 2013 kanë nënshkruar një Marrëveshje Normalizimi, të ndërmjetësuar nga i ngarkuari i BE-së për punë të jashtm. Kryeministri Aleksandar Vuçiq dhe presidenti Hashim Thaçi janë prej atëherë garantues të një plani shumë fragjil të paqes.

Kryeministri 45 vjeçar serb e ka filluar karrierën e tij politike në vitin 1993 si i përkëdheluri i Vojislav Seselit, një nacionalisti të vrazhdë dhe nxitës lufte. Ai përparoi shpejt dhe nga viti 1998 deri në vitin 2000 u bë ministër i informatave nën Miloshevicin. Pas rrëzimit të Milosheviqit, ai me shumë demagogji bënte opozitë kundër demokratëve të cilët po e sillnin vendin në rrugën e integrimeve të BE-së. Më së voni në vitin 2008 Vuçiqit iu bë e qartë seme fantazitë serbomëdha nuk mund të fitoheshin më zgjedhje. Ai shkëputet nga babai i tij politik Shesheli dhe u bë bashkëthemelues i një partie të re, e cila u deklarua si proevropiane. Kjo i hapi rrugën drejt fuqizimit politik.

Që në vitin 2012 ende si zëvendëskryeministër, Vuçiqi ishte njeriu më me ndikim në Serbi. Ai i dominon institucionet dje mediat, ndërkohë që opozita e çorientuar që atëherë është vetëm një hije. Pa turp por bindshëm ai sqaronte se si idetë e tij të mëparshme i konsideronte të gabuara. Dhe se ka mësuar nga kjo. Dhe atë që paraardhësit e tij nuk kishin guxuar ta bënin, e bëri ai pa problem: Ai nënshkroi një kompromis me shefin e Qeverisë së Kosovës, Thaçin, transmeton albinfo.ch tekstin e NZZ.

Kjo marrëveshje parashikon tërheqjen e institucioneve serbe nga veriu i Kosovës. Për kthim, Prishtina u mundëson komunave serbe të Kosovës një vetadministrim të gjerë. Në negociata nuk ishin të përfshirë as parlamentet dhe as publiku. Kur serbët e Kosovës u rebeluan, Vuçiqi ndërroi udhëheqjen e tyre dhe me këtë u thye rezistenca.

Thaçi, sipas kalkulimeve të BE-së ishte partneri ideal në negociata me Vuçiqin: si ish shef i UÇK-së ai do të ishte në gjendje të çonte përpara dhe të mbronte ndaj përfaqësuesve të linjës së fortë një marrëveshje me serbët. Thaçi, që nga koha e luftës është figura dominuese në Kosovë. Pas vitit 1999 administrimi i OKB-së në Kosovë ishte aranzhuar shumë shpejt me “zotërit e luftës”. Hetimet për krime lufte, vrasjet politike dhe korrupsionin, neglizhoheshin. Mbikëqyrësit ndërkombëtarë frikoheshin për stabilitetin e protektoratit dhe i lejonin zotërit e rinj të sundonin.

Kulmi i karrierës politike për Thaçin ishte shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, të cilën ai si kryeministër e inskenoi nën regjinë amerikane. Që atëherë ylli i tij vjen duke perënduar. Sepse ngritja dhe zhvillimi i ëndërruar i kosovarëve nuk erdhi as me krijimin e shtetit të tyre. Klientelizmi dhe korrupcioni sollën në ngritjen e një lëvizjeje opozitare e cila kritikën ndaj elitës e lidh me nacionalizmin shqiptaromadh, shkruan NZZ.

Ajo kundërshton fuqishëm marrëveshjen për normalizim. Dhe për aq më shumë Thaçi bëhet tash shtyllë e politikës së BE-së për stabilizim. Për këtë arsye BE-ja ia kthei me të mirë në vjeshtën e kaluar duke i dhënë Kosovës Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim. Ndërsa Vuçiqi, si shtylla e dytë mbështetëse, u shpërblye me hapjen e negociatave për pranim.

Në analizën e zgjeruar të NZZ portretohen edhe “skifterët” tjerë të politikës ballkanike si Ghjukanoviq dhe Gruevski, të cilët shikohen si figura dominuese në vendet përkatëse, gjithmonë në emër të “ruajtjes së stabilitetit”.

Exit mobile version