Telegrafi

Gazeta e madhe zvicerane Blick: Alex Frei mund të jetë trajner i Kosovës

Përfaqësuesja e Kosovës ka mbetur pa trajner, pas shkarkimit të Bernard Challandes nga posti i selektorit.

Federata e Futbollit ë Kosovës vendosi ta pushojë nga puna teknikun zviceran për shkak të rezultateve të dobëta në ndeshjet e fundit.

Shumë emra kanë qarkulluar për ta marrë postin e trajnerit derisa FFK ende nuk ka filluar zyrtarisht bisedat me ndonjërin nga kandidatët.

Por gjatë ditës së sotme, gazeta e madhe zvicerane Blick ka raportuar se legjenda e Përfaqësueses së Zvicrës, Alexander Frei mund ta marrë drejtimin e Kosovës.

42-vjeçari aktualisht është duke udhëhequr skuadrën nga Challange League, FC Wil, derisa më herët ka udhëhequr edhe grupmoshat e Baselit dhe ka qenë drejtor sportiv te Luzerni.

Kush është Alexander Frei?

Alexander Frei është një legjendë e futbollit zviceran, pasi ka pasur një karrierë të pasur si futbollist.

Ish-sulmuesi zviceran ka luajtur për skuadra si Basel, Thun, Luzern, Servette, Rennes, Borussia Dortmund dhe në fund u rikthye në Basel duke e mbyllur karrierën në vitin 2013.

Ai ka qenë pjesë e rregullt e Përfaqësueses së Zvicrës nga viti 2001 deri në 2011 ku ka zhvilluar 84 ndeshje, derisa ka shënuar 42 gola.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist Frei u bë drejtor sportiv te Luzerni ku qëndroi për një vit nga 2013 deri më 2014.

Në vitin 2015 ai mori drejtimin e të rinjve të Baselit, ku qëndroi për tri vite, derisa nga viti 2020 është trajner i Wilit. /Telegrafi/