Aktori amerikan, Alec Baldwin, ka tërhequr mjaft publik qe disa muaj duke imituar presidentin amerikan, Donald Trump, me shfaqen në emisionin Saturday Night Live.
Duket se aktrimi i tij është vërtet për t’u pasur zili, pasi ka nga ata që e ngatërrojnë me presidentin. Kjo i ka ndodhur gazetës El Nacional në Republikën Dominikane, e cila mendoi se Baldwin ishte Trump dhe botoi një fotografi të aktorit në rolin e tij pranë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Në artikull flitej për kolonitë izraelite dhe mbështetjen e perceptuar të Trumpit për to, transmeton TCH. Menjëherë pas publikimit të fotografisë së Baldwin në El Nacional, një furtunë talljesh shpërthyen në rrjetet sociale ndaj gazetës, por njëkohësisht edhe shumë përgëzime për aktorin dhe imitimin e tij.
Drejtuesit e El Nacional nxituan të kërkojnë falje sapo kuptuan gabimin. Sipas tyre, askush në sektorin përgjegjës për printimin nuk e kishte kuptuar se fotografia ishte ngatërruar.
Vet Trump nuk është një fans i shfaqjes së Baldwin dhe thotë se aktrimi i tij është shumë i dobët, por duket se El Nacional ka vërtetuar të kundërtën.