Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ndodhet në Azerbajxhan në Forumin dyditor Global të Bakut.
Ai ka zhvilluar një takim me homologun azer, Ilham Alijev, me të cilin diskutoi për projektin e gazsjellësit TAP. Nishani shprehu besimin se implementimi i këtij projekti madhor do t’i hapë rrugën gazifikimit të Shqipërisë dhe do t’i forcojë më shumë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare mes dy vendeve.
“Implementimi i projektit TAP do të ketë një impakt shumë pozitiv edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Nishani.
Ndërsa presidenti Aliyev u shpreh i sigurt për implementimin në kohë të gazsjellësit TAP dhe shumë optimist për të ardhmen e bashkëpunimit mes dy vendeve. Aliyev shprehu gjithashtu mbështetjen dhe interesin e Azerbajxhanit për procesin e gazifikimit të Shqipërisë.
Gjithashtu, ai shprehu vullnetin e palës azere për planifikimin dhe ngritjen hap pas hapi të marrëdhënieve mes dy vendeve në nivele të tjera më të larta partneriteti, ashtu si edhe me disa vende të tjera fqinje me Shqipërinë dhe anëtare të Bashkimit Evropian.
Nishani zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Gjeorgjisë, Giorgi Margvelashvil dhe atë të Maqedonisë, Gjorge Ivanov. /Telegrafi/