Telegrafi

Gaxherri: Shqetësuese disa deklarata nga NATO për Ushtrinë e Kosovës

Deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Besa Gaxherri ka thënë se janë shqetësuese disa deklarata të miqve ndërkombëtar kundër transformimit të FSK-së.

“Ne besojmë se Qeveria ka bërë një harmonizim me NATO-n për formimin e ushtrisë…Shpresojmë që nuk do t’i vihet edhe tani faji LDK-së, nëse ndodh diçka e paparashikueshme”.

Gaxherri në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se fatbardhësisht ushtrinë e Kosovës nuk e kanë përgatit partnerët e koalicionit aktual qeverisës.

“Unë nuk besoj se po e përgatisim ushtrinë për të hyrë në luftë me Serbinë, por për integrime ndërkombëtare”.

Deputetja e LDK-së ka thënë se taksat për mallrat serbe janë më populiste se që duken.

Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Gaxherri ka thënë sukseset dhe dështimet klasa politike në Kosova duhet t’i ndajë më BE-në.

“Kriteret për liberalizimin e vizave nuk i ka plotësuar vetëm kjo Qeveri. Kjo Qeveri ka plotësuar vetëm kriterin e demarkacionit me mbështetjen e opozitës. Ndërsa kriteri tjetër, luftimi i krimit dhe korrupsionit ka qenë në kontinuitet, pse këto dukuri luftohen në vazhdimësi”, tha Gaxherri.

Gaxherri ka thënë se ushtria kërkon buxhet miliardësh, prandaj është shumë e rëndësishme koordinimi me shtetet mike të NATO-s.

“Nuk guxon ushtria të bëhet pa koordinim me NATO-n dhe SHBA-në…Ne do ta votojmë atë, por pasojat e mundshme, që lutem të mos ketë, do t’i marrë Qeveria”, tha Gaxherri./Telegrafi/