Site icon Telegrafi

Gaxherri: Është i rëndësishëm parandalimi i ekstremizmit dhe jo vetëm pasqyrimi i tij (Video)

Në kryeqytetin e Kosovës është mbajtur konferenca me temë “Angazhimi i shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”.

Në konferencën kanë folur shumë ministra kosovare dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Gjithashtu pjesë e panelit kanë qenë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, ku ndër ta ishte edhe Vlora Gaxheri, e cila përfaqësonte organizatën joqeveritare me seli në Pejë  – ‘Syri i Vizionit’.

Gaxherri ndër të tjerash ka pohuar se është i rëndësishëm parandalimi i ekstremizmit dhe jo vetëm pasqyrimi i tij.

“Është i rëndësishme parandalimi i ekstremizmit si proces kompleks, dhe jo thjesht veç pasqyrimi i tij. Shoqëria civile është gati të fuqizojë nismat si kjo sot, sepse gjithmonë ata që luftojnë ia dalin. Ne do të jemi zëri i atyre që nuk flasin dhe shembull për ata që hezitojnë të veprojnë”, tha Gaxheri.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth Vlora Gaxherrit

Ajo më tutje tregoi se shoqëria civile në nivel lokal po angazhohet në aftësimin e rinisë për të gjykuar në mënyrë të pavarur rreth kësaj dukurie të shfaqur në Kosovë, transmeton Telegrafi.

“Angazhimi i shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm në nivel lokal po bëhet duke aftësuar rininë në gjykime të pavarura rreth situatës, në krijimin e mendimeve kritike dhe gjithmonë duke dhënë arsyetim etik”, tha ndër të tjerash Gaxherri.

Edhe Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mori pjesë në panel dhe mbajti fjalë rasti ku theksoi rëndësinë e luftimit të ekstremizmit të dhunshëm. Ministrja Hoxha ka thënë se rruga e Kosovës ka vetëm një drejtim – shtetin ligjor dhe sundimin e ligjit.

Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka marrë pjesë në konferencën “Angazhimi i Shoqërisë Civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”, ku ka thënë se luftimi i ekstremizmit dhe fuqizimi i sundimit të ligjit është rruga e vetme.

“Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe fuqizimi i sundimit të ligjit është rruga jonë përpara. Rruga jonë për fuqizimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik të vendit, rrugë për të ardhmen e brezave të rinj”, theksoi Ministrja Hoxha. /Telegrafi/

Exit mobile version