Gennaro Gattuso ka pranuar se më pak do të dhembte therja me thikë sesa goli i pranuar në minutën e 95-të nga portieri i Beneventos.
Milani ishte në epërsi prej 2-1 deri në minutën e pestë shtesë, kur skuadra e fundit në tabelë e barazoi rezultatin (2-2), edhe atë me anë të portierit.
Kjo ishte ndeshja e parë e ish-mesfushorit italian si trajner i Rossonerëve, ku e zuri vendin e Vincenzo Montellas.
“Dhemb, mund ta them këtë. Therja do të ishte më pak e dhimbshme se ky gol”.
“Vuajtëm në 15 minutat e fundit, mirëpo pranuam një gol bizar. Asnjëherë nuk kisha pritur të pranonim gol në sekondat e fundit dhe golashënues të ishte portieri kundërshtar”.
“Ne jemi Milani dhe duhet të japim më shumë, sepse niveli aktual nuk është i mjaftueshëm”.
“Ishte ndeshja ime e parë si trajner i Milanit, një skuadër që e kam përfaqësuar për shumë vite”.
“Mendova se i kishim dhënë fund, mirëpo e bëmë atë gabim naiv me dhënien e gjuajtjes së lirë përmes Ignazio Abates”.
“Dhemb dhe ne jemi duke i shëruar plagët”, ka deklaruar Gattusso për Sky Sport Italia. /Telegrafi/