Trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso, ka pranuar se është i zhgënjyer me sezonin e skuadrës së tij dhe duhet t’i analizojë gjërat tash kur ka përfunduar kampionati.
Rossonerët dështuan të kualifikohen në Ligën e Kampionëve, përkundër fitores në xhiron e fundit në Serie A, ashtu që në edicionin e ri do të jenë pjesë e Ligës së Evropës.
“E falënderoj skuadrën. Përfundimi me 68 pikë më bën krenar, edhe pse dhemb fakti që nuk u kualifikuam në Ligën e Kampionëve”.
“Puna e trajnerit duhet të analizohet nga klubi dhe ekspertët. Do të takohem me klubin dhe do të bisedojmë. Dua të dëgjoj se çfarë mendojnë për punën time”.
“Mendoj se kam shumë histori me këtë klub, kam ndier më shumë presion se që është dashur në të vërtetë”.
“Kam fjetur shumë pak në 18 muajt e fundit, mendërisht jam i rraskapitur dhe kjo është diçka që duhet ta marr në konsideratë”, ka thënë Gattuso për DAZN. /Telegrafi/