Gennaro Gattuso ka paralajmëruar se nuk ka “ndeshje të lehta” për Milanin, por deklaron duhet të besojnë edhe në kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Rossonerët po synonin të paktën vendin e katërt këtë sezon në Serie A, por Vincenzo Montella u shkarkua pas një fillimi të dobët të sezonit.
Gattuso e zëvendësoi atë në vendin e nxehtë të lënë bosh, dhe ata hyjnë në ndeshjen e nesërme (e shtunë) ndaj Crotones me 14 pikë larg vendit të katërt.
“Nuk ka ndeshje të lehta për ne. Ne jemi përgatitur mirë, por do të jetë e vështirë. Nuk mund të mendojmë për pushimet tona, ne vetëm duhet të mendojmë për tri pikët”, paralajmëroi fillimisht Gattuso në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes ndaj Crotones.
“Ata sulmojnë me shumë lojtarë përpara, vendosin shumë njerëz në zonë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm në kundërsulm”.
“Ata kanë fituar vetëm një ndeshje në pesë të fundit, por janë një ekip i gjallë që ne duhet ta respektojmë”.
“Kur lojtarët mendonin se ishte e lehtë, shkoi keq si kundër Beneventos ashtu dhe ndaj Veronas, dhe në këtë moment nuk mund të lejojmë të themi se çdo ndeshje është e lehtë”.
“Pozicioni ynë i ligës nuk është i mirë, por ne jemi në gjysmëfinale të Kupës së Italisë dhe 1/32-të e Ligës së Evropës. Ne duhet të marrim më të mirën nga këto ndeshje, pa lënë pas dore ligën ku ka një rrugë të gjatë për të shkuar”.
“Derisa matematika të na lejojë, ne duhet të besojmë edhe në Ligën e Kampionëve”, përfundoi trajneri italian. /Telegrafi/