Telegrafi

Gati rruga ajrore Kosovë- Shqipëri

Nënshkrimi i këtij memorandumi është rezultat i takimeve të vazhdueshme mes ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministri i Transportit i Shqipërisë, Sokol Olldashi, dhe bisedimeve rreth hapjes së një rruge të re ajrore midis Kosovës dhe Shqipërisë, që kanë rezultuar me mbajtjen e bisedimeve në nivel ekspertësh lidhur me realizimin teknik të këtij projekti, të mbajtura më 13 dhe 14 tetor 2008.

Me nënshkrimin e Memorandumit të mirëkuptimit midis Aeroportit Ndërkombëtar i Prishtinës dhe Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror të Shqipërisë, me ç’rast të dy këto subjekte janë pajtuar për një plan ambicioz veprimi në muajt në vazhdim.

Memorandumi i nënshkruar ka për qëllim që t’i lehtësojë aktivitetet, konsultimet dhe komunikimin në mes të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, si ofrues i shërbimeve të navigacionit ajror në Kosovë dhe Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror të Shqipërisë me qëllim të hapjes së rrugëve të reja ajrore midis Kosovës dhe Shqipërisë. Me këtë Memorandum, palët marrin obligime zyrtare për kryerjen e punëve të nevojshme përgatitore dhe për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e kontrollit të trafikut ajror./Telegrafi/