Site icon Telegrafi

Gati projekti për restaurimin e kalasë së Bashtovës

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për restaurimin e Kalasë së Bashtovës, pranë fshatit Vilë, Rrogozhinë.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve konsiston në kryerjen e ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese në monument.

Kalaja e Bashtovës (Castle Bashtova) ngrihet pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 kilometra, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit. Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60 x 90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII.

Muret e saj kanë një lartësi prej nëntë metrash. Mendohet se kjo kështjelle ose kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë që gjendet vetëm disa kilometra jashtë qytetit të Kavajës dhe që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit. E veçanta e kësaj kalaje qëndron dhe në faktin se është e vetmja në Ballkan e ndërtuar në fushe. Rrethinat e saj kanë mbetur të plota dhe sot ruhen si një monument kulture nga shteti shqiptar. Sot ky monument vizitohet nga shumë turistë vendas dhe të huaj. Kështjella e Bashtovës është një pasuri kulturore dhe me shumë vlera. /ATA/

Exit mobile version