Telegrafi

Gati një ton fishekzjarre u importuan vetëm sivjet në Kosovë

Fishekzjarrët dhe mjetet piroteknike po u shkaktojnë ditëve të fundit bezdi qytetarëve në tërë Kosovën. Ndërkohë, edhe këtë vit vazhdon shitja e tyre për fëmijët nën moshën 12 vjeçare, gjë që është e ndaluar. Shitësit nuk ndihen të rrezikuar, sepse në tërë Kosovën janë vetëm pesë inspektorë.

Për përdorimin e pakontrolluar ka pasur shumë ankesa drejtuar karshi Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe institucioneve tjera përgjegjëse për këtë çështje.

Një gjë të tillë e ka bërë edhe Partia Ekologjike e Kosovës, e cila është ankuar për përdorim të tepruar të këtyre mjeteve, të cilat janë të rrezikshme dhe të dëmshme për ambientin.

“Nuk jemi kundër përdorimit të mjeteve piroteknike, por kundër përdorimit të zgjatur të tyre. Jemi dëshmitar se përdorimi i mjeteve piroteknike fillon që nga festa jonë kombëtare, 28 Nëntorim dhe vazhdon gjatë tërë muajit dhjetor dhe janar. Është një periudhë e gjatë kohore që shkakton bezdi të madhe dhe është e padurueshme. Ne po kërkojmë që vetëm të respektohet ligji në fuqi”, ka thënë Ylli Ahmeti, zyrtar për medie i kësaj partie.

Inspektori nacional në Departamentin për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Driton Ademi, ka thënë për KosovaPress se përdorimi i fishekzjarrëve është i lejuar përgjatë tërë vitit, në bazë të ligjit 04/L-22, i cili është botuar në vitin 2011. Por, ai ka theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht divizioni për siguri në bashkësi, zhvillon çdo fundvit fushatë lidhur me përdorimin e sigurt të fishekzjarrëve.

“Shitësit e kanë edhe listën në bazë së cilës duhet të shesin fishekzjarrët. Mosha minimale e lejuar për blerje e fishekzjarrëve është mosha 12 vjeçare – për kategorinë e parë; pastaj vazhdon për kategorinë e dytë – 16 deri 18 vjeçe. Ndërsa, mjetet piroteknike që i takojnë kategorisë së 4-të dhe fishekzjarrëve profesionale janë vetëm për subjektet e licencuara dhe të specializuara për ndezjen e tyre… Departamenti jonë i ka vetëm pesë inspektor të cilët merren me punë të tjera, përpos punës së fishekzjarrëve. Mungesa e personelit na shkakton probleme t’i kontrollojmë shitësit sa po e respektojnë ligjin për shitjen e kontrolluar për moshën e lejuar e se cilët persona mundem me i ble”, ka thënë ai, duke shtuar se brenda ligjit parashihen edhe gjobat nëse hidhen në treg fishekzjarrët pa autorizim, pa leje për dyqan të shitjes etj.

Sa i përket sigurisë së importimit në mënyrë ilegale, Adriatik Stavileci ka thënë se Dogana nuk lejon asnjë mall të hyjë brenda pa e pasur lejen përkatëse.

“Ministria e kufizon importin përmes licencave. Në momentin kur nuk i jepet një kompanie një licencë, atëherë ajo nuk mund të zhdoganojë mallin në një doganë. Normalisht, ka kompani që me vite bëjnë importin e tyre”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij, në pesë vitet e fundit ka rënë dukshëm numri i importeve të mjeteve piroteknike. Vetëm në këtë vit janë importuar 880 mijë kilogramë, të cilat në vlerë monetare janë 1.2 milionë euro, ndërsa taksa janë paguar mbi 350 mijë euro. /Telegrafi/