Site icon Telegrafi

Gati 10 për qind e popullatës së Maqedonisë jetojnë jashtë shtetit

Mësohet se nga viti 2008 deri në 2020-n janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Evropian, derisa 195 mijë janë shtetas nga Maqedonia e Veriut Instituti Evropian i Statistikave – EUROSTAT, informon se numri më i lartë i lejeve të qëndrimit për shtetasit e Ballkanit Perëndimor është dhënë në periudhën 2008-2009, me përkatësisht 97.3 mijë dhe 83.9 mijë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të fillim viteve 2000. Në këtë numër, kanë kryesuar shqiptarët e Shqipërisë, ndërsa fluksi ka ardhur në rënie, duke zbritur në rreth 30 mijë në vitin 2013. Pas kësaj periudhe, rigjallërimi i ciklit të emigracionit, që tregohet dhe nga shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil solli një tjetër rritje të lejeve të qëndrimit që kulmoi në vitin 2019, me rreth 60.4 mijë të tilla. Për dallim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mban rekordin për numrin e shtetasve të saj që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në një shtet të Bashkimit Evropian.

Për të njëjtën periudhë (2008-2020) kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 426 mijë serbë, 337 mijë boshnjakë, 285 mijë shtetas të Kosovës, 195 mijë nga Maqedonia e Veriut dhe më pak se 20 mijë nga Mali i Zi. Në raport me popullsinë, diferenca është edhe më e lartë. Gati 25% e popullsisë shqiptare (të vitit 2020) tashmë jeton e punon në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Vendi i dytë është Kosova (15.4%), e ndjekur nga Bosnjë e Hercegovina (10.3%), Maqedonia e Veriut (9.4%), Serbia (6.2) dhe Mali i Zi (3.3%).

Edhe institucionet ndërkombëtare e llogarisin numrin e emigrantëve nëpërmjet autorizimeve për lejet e qëndrimit të lëshuara për herë të parë për këto vende nga shtetet e Bashkimit Evropian. Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, në një raport të mëparshëm, gjeti se Shqipëria rezultoi me numrin më të lartë të emigrantëve në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën për periudhën 2010-2020. Si faktor themelor, ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë, fenomen që shpjegon flukset e larta të emigracionit sidomos në Shqipëri dhe Kosovë. Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në rajon dhe me nivelet më të larta të varfërisë, sipas Bankës Botërore, e për rrjedhojë, kanë edhe flukset më të larta emigratore. Vetëm në vitin 2020 morën leje qëndrimi për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Evropian 37.592 shtetas shqiptarë, ndërsa në rajon, numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit të dhëna për vitin 2020 e mban Serbia me 40.8 mijë, më pas Shqipëria (37.6 mijë) e ndjekur nga Bosnjë e Hercegovina (35.1 mijë), Kosova (31.6 mijë), Maqedonia e Veriut (16.3 mijë), Mali i Zi (2.7 mijë). (koha.mk)

Exit mobile version