Sektori i gastronomisë po mbetet pa punëtorë. Me muaj të tërë kërkohen kuzhinier, banakier, e kamerierë, por nuk ka. Shumica e punëtorëve të gastronomisë, në pamundësi për të qëndruar pa pa paga gjatë pandemisë, kanë migruar jashtë thonë pronarët e restoranteve. Ata madje kanë shkurtuar edhe oraret e punës ndërsa kanë rritur rrogat, por as kjo masë nuk jep rezultate thonë ata.
Arsyeja kryesore është pandemia sepse ne si gastronomë jemi ballafaquar me mosfunksionim si duhet me lokalin apo restorantin dhe nuk kemi pasur mundësi t`i mbajmë punëtorët një kohë më të gjatë dhe shumica e punëtorëve kanë pasur një arsye për tu larguar nga vendi. Fjala është për kuzhinier, kamerier, ndihmës kuzhinier, banakier, është pra e jashtëzakonshme”, tha Bashkim Loki, pronar restoranti.
“Rrogat janë të mëdha, orari është fleksibël, ditë të lira ka. Një kuzhinier merr mbi 30.000 denar rrogë. Një kamerier paguhet mbi 18 000 denarë për tetë orë punë. Që para ramazanit, pra tre muaj kërkojmë ekipë, por nuk ka”, theksoi Selaudin Ismaili, pronar restoranti.
Nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se shteti duhet të stimulojë më tepër këtë sektor, sidomos në pjesën e taksave.
“Shteti duhet të stimulojë disi këto kompani. Si mund të bëhet kjo? E para, duke subvencionuar kontributet e pagave që janë shumë të larta në Maqedoni, duke ulur TVSH-në, dhe po ashtu, duke eliminuar tatimin në fitim për një periudhë dy apo tre vjeçare. Këto janë faktikisht masa fiskale që duhet ti merr Qeveria me qëllim që ta kenë më lehtë kompanitë të mbajnë punëtorët e tyre”, theksoi Drilon Ismaili, OEMVP.
Por sa humb gastronomia në vend nga mungesa e punëtorëve dhe çka i pret ata në të ardhmen? Profesori universitar i ekonomisë Harun Tahiri thotë se masat qe kanë marrë pronarët e restoranteve janë të vonuara. Këshillon rritje rrogash dhe sigurim të punëtorëve.
“Pasojat do jenë të mëdha, sepse mbetet tash që kjo çështje të rregullohet nga ligjet e tregut, pra ofertës dhe kërkesës. Kjo është një situatë e përcjellë që kryesisht ndodhi shkaku i kufizimeve të kovidit ku një pjesë e madhe e tyre kërkonin mundësi të reja. Por është edhe çështja e pagesës që kryesisht i orienton në migrim në botën e jashtme. Edhe punëdhënësit duhet të mendojnë në atë drejtim që të punësuarit të munden së paku me atë rrogë të kenë një standard apo një mirëqenie ekonomike”, tha Harun Tahiri, ekonomist.
Përndryshe, gati gjysma e gastronomëve me pakon e gjashtë ekonomike mbetën pa ndihma, si pasojë e parregullsive gjatë regjistrimit të firmave të tyre.