Nga sot lejohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i dasmave, kështu njofton sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica.
Sipas Vranicës, subjektet që menaxhojnë me këto veprimtari, janë të obliguara që të caktojnë një apo më shumë persona përgjegjës për të kontrolluar posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për masat kundër COVID-19, përcjell Telegrafi.
“Nga sot, me datë 7 mars 2022, zyrtarisht lejohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore deri në 50 për qind të kapaciteteve, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Subjektet që menaxhojnë me këto veprimtari, janë të obliguara që të caktojnë një apo më shumë persona përgjegjës për të kontrolluar posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura me vendimin e ri”, njofton ai.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës kishte vendosur të lehtësojë masat kundër COVID-19, duke hequr kufizimin e lëvizjes. /Telegrafi/