Gian Piero Gasperini ka folur pas fitores së Atalantas në udhëtim te Valencia dhe kalimin tutje në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Atalanta fitoi ndeshjen e parë 4-1 në San Siro, të dytën 4-3 në Mestallan e zbrazët, të luajtur pas dyerve të mbyllura për shkak të përhapjes së coronavirusit, por përkundër të gjithave kjo fitore i ka bërë të lumtur italianët.
“Penalltia pas tre minutash ishte një ngritje shtesë e besimit. Ne luftuam pak në pjesën e parë, bëmë shumë më mirë në të dytën”, ka thënë fillimisht Gasperini për Sky Sport Italia.
“Asnjëherë nuk është e lehtë, pranuam gola të shmangshëm, por donim të fitonim këtu dhe absolutisht të mos dilnim me një barazim ose humbje. Donim të konfirmonim edhe punën e mirë që do të kishim bërë me një fitore edhe këtu”.
Josip Ilicic ishte padyshim “Lojtari i Ndeshjes”, pasi ai u bë lojtari i parë ndonjëherë që shënoi katër gola në udhëtim gjatë një takimi me nokaut të Ligës së Kampionëve.
“Ilicic donte të mos luajte, i thashë më jep një minutë dhe do të të lë jashtë. Ai bën përpjekje për tu rikuperuar pas një vrapimi të fortë, por pas disa minutash, ai është më i fortë se kurrë”.
“Mendoj se ka shumë pak lojtarë që kanë shënuar katër gola në një lojë të vetme të Ligës së Kampionëve”.
Atalanta tani ka shënuar 87 gola në 38 ndeshje këtë sezon dhe kaloi në çerekfinale në sezonin e tyre të parë ndonjëherë në Ligën e Kampionëve.
“Është diçka shumë e jashtëzakonshme që ne shënojmë kaq shumë gola, shpesh katër ose më shumë. Pas një fillimi të vështirë të kësaj gare, ne u ngritë, fituam radhazi katër ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe pamë sonte që mund të bëjmë shumë më mirë”.
“Ne e dimë që shumë njerëz po na vëzhgonin nga Bergamo dhe morëm shumë mesazhe, përfshirë drejtorin e spitalit, kështu që jemi të lumtur që u dhamë atyre një moment gëzimi”, përfundoi trajneri italian. /Telegrafi/