Prishtinasit kishin probleme të mëdha ku udhëtuan rreth 36 orë me autobus ndërsa kishin mbërritur në qytet dy orë para lojës.
Në fund, skuadra nga kryeqyteti kosovar arriti një fitore të madhe në hendboll duke triumfuar 29:28, ndërsa portieri Edon Gashi tregon për Telegrafin rreth asaj që përjetuan.
“Rruga për në Bosnje me të vërtetë ka qenë shumë e lodhshme dhe e mundimshme për ne, pasi nga kufiri serb nuk lejohej të kalohej në Bosnje nga policia serbe e cila nuk jepte ndonjë arsyeje”.
“Vendosëm të kthehemi në Kosovë dhe vazhduam rrugën për në Bosnje nëpërmjet Malit të Zi, duke bërë 34 orë rrugë dhe arritëm në qytet dy orë para fillimit të ndeshjes”, tregon Gashi për Telegrafin.
“Synimi ynë ishte i qartë që ta fitojmë këtë takim për t’i bërë një dhuratë shqiptarëve për festën e 28 nëntorit”.
“Kemi luajtur një ndeshje mjaftë të mirë dhe efektive në sulm, gjatë gjithë kohës i kryem me sukses urdhrat e trajnerit Taib Kabashi dhe kjo bëri që ta fitojmë ndeshjen”.
“Ndeshja e dytë zhvillohet sot nga ora 15:00 dhe presim që të tregojmë një lojë të mirë dhe ta marrim një rezultat pozitiv për të kaluar tutje”, tha Gashi për Telegrafin.
Edoni ishte ndër më meritorët për këtë sukses pasi priti 20 gjuajtje nga hendbollistët mysafirë, ndërsa golat për Prishtinën i shënuan Florim Hoxha tetë gola, Ylber Mjeku pesë gola si dhe Oliton Beshiri dhe Lindrit Fetahu shënuan nga katër sosh. /Telegrafi/