Shkëlzen Gashi, i cili është këshilltar politik i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka sqaruar deklaratën e tij për UÇK-në.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se nuk e ka përfshirë UÇK-në si terësi kur ka thënë se ka kryer krime, por individë, keqpërdorues të uniformës.
Gashi thotë se deklarimet e tij i ka mbështetur bazuar në vendimet e gjykatave, UNMIK, EULEX, dhe raporteve të organizatave ndërkombëtare.
“Unë nuk kam thënë që UÇK-ja ka kryer krime, por INDIVIDË të UÇK-së (keqpërdorues të uniformës së UÇK-së), qofshin edhe të lartë në hierarkinë e saj (ky nuk është mendim imi, por këto janë vendime të gjykatave të ICTY-së, UNMIK-ut, EULEX-it, si dhe mendime të raporteve të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si Human Rights Watch e Amnesty International). UÇK-në dhe luftën e popullit tonë për liri e pavarësi e mbrojmë kur pastrohet nga krimet e individëve që i kanë kryer ato në emrin tonë”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, Kosova duhet mbrojtur nga Gjykata Speciale, atëherë kur vet shqiptarët i denojnë kriminelët që sipas tij në emër të shqëiptarëve kanë kryer krime.
“Kosovën e mbrojmë nga Gjykata Speciale dhe sulmet tjera që thonë se Kosova është krijesë e një ndërmarrjeje kriminale, vetëm kur ne vetë i dënojmë ata që në emrin tonë kanë kryer krime kundër civilëve të pafajshëm. Kështu e kanë mbrojtur kroatët Kroacinë, kështu duhet ta mbrojmë edhe ne Kosovën”, thekson Gashi.
Ndaj, tij pati reagime të ashpra nga PDK, AAK, po ashtu OVL e UÇK-së.
Po ashtu nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se vendimi për Gashin i takon kryeministrit Kurti, por sipas tij nuk pajtohet me ato deklarata.
Ai ka thënë se e njeh shumë më mirë se Gashi raportin e Dick Martyt dhe sipas tij ai raport nuk është i bazuar në fakte.
“Mendoj që raporti i Dick Marty-it është inicuar nga Rusia”. /Telegrafi/