Kryetari i komunës së Obiliqit Xhafer Gashi ka pritur sot në një takim kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa.
Gashi e njoftoi kryeministrin Mustafa me gjendjen e krijuar në komunën e Obiliqit pas pakënaqësive të përgjithshme të shkaktuara nga ana e menagjmentit të KEK-ut dhe protestës së organizuar nga ana e qytetarëve.
Me kryeministrin Mustafa, kryetari i Obiliqit bisedoi edhe për përpjekjet për bashkëpunim dhe injorimin e vazhdueshëm nga ana e menaxhmentit të KEK-ut.
“Gashi po ashtu e njoftoi kryeministrin që në Strategjinë e KEK-ut 2012-2017 nuk është përfshi komuna, për mosrespektimin e Rregullores së MZHE-së të vitit 2011 të plotësuar në vitin 2014 dhe memorandumit të nënshkruar ndërmjet komunës dhe KEK-ut”, thuhet në komunikatën lëshuar nga komuna e Obiliqit.
Siç thuhet në komunikatë është biseduar edhe për mungesën e investimeve në ambient, infrastrukturë, mungesa e hapësirës për punësim për banorët e Obiliqit, të cilat sipas kryetarit kanë shkaktuar rritj e të pakënaqësive te qytetarët të cilat kanë rezultuar edhe me protesta.
Kryetari Gashi e njoftoi kryeministrin Isa Mustafa edhe për gjendjen e rëndë të banorëve që jetojnë në fshatin Dardhishtë, Hade e Shipitullë, mungesën e ujit të pijshëm, mungesën e infrastrukturës dhe problemet me zhvendosje.
Në këtë takim kryetari Gashi përmendi edhe gjendjen e Deponisë Regjionale të Mbeturinave e cila është në gjendje jo të mirë dhe nuk është në përputhje me standardet.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se në ditët në vijim do t’i ftoj në takim menaxhmentin e KEK-ut, ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe ZRRE-në për të diskutuar lidhur me kërkesat dhe gjetjen e mundësive për t’iu dhënë zgjidhje këtyre problemeve. Në fund u diskutua për projektligjin për Obiliqin, ku kryeministri tha se do të shtyhet përpara dhe do të shndërrohet në ligj./KosovaPress/