Telegrafi

Gashi thotë se prioritet i MKRS-së është ruajtja, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në kabinetin e tij anëtarët e ekipit punues për Hartimin e Projektligjit për Trashëgimi Kulturore.

Ky takim vjen pas miratimit të koncept dokumentit për Trashëgimi Kulturore nga Qeveria e Kosovës dhe emërimit të këtij ekipi me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Nga ekipi punues, Gashi kërkoi që të kenë bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me organizatat ndërkombëtare në mënyrë që të ketë një ligj i cili i ka konsultuar të gjitha palët.

Për Hartimin e Projektligjit për Trashëgimi Kulturore, Gashi u shpreh se është një ndër masat e shumta legjislative dhe zbatuese në fushën e trashëgimisë kulturore, që po ashtu koincidon edhe me fillimin e Vitit Evropian.

“Ruajtja, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore mbetet në vazhdimësi prioritet i imi si ministër i Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës i përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës si sektor i veçantë me rol kyç në zhvillimin e shtetit”, përfundoi ai.

Ndërkaq anëtaret e ekipit punues u zotuan se do të jenë të përkushtuar maksimalisht që të punojnë deri në finalizimin e Hartimit të Projektligjit për Trashëgiminë Kulturore.