Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se operacioni i arrestimit të 52 personave lidhur me dyshimet për krim të organizuar, ka treguar dorën e fortë të shtetit dhe drejtësisë.
Sipas tij ky edhe mund të ketë qenë qëllimi i operacionit të ndërmarrë në shkallë të gjerë. Gashi po ashtu ka theksuar se veprimi i drejtësisë mund ta ndërrojë në masë të madhe skenën politike të vendit deri vitin tjetër.
“Në aspektin politik mendoj se asnjë nga partitë nuk mund t’i “fërkojë duart” për ta ndërtuar të ardhmen e vet politike sepse ajo duhet të ndërtohet mbi një kauzë të drejtë. Gjatë vitit të ardhshëm skena politike në Kosovë do të ketë ndryshime të mëdha dhe të kemi shkundje në skenën politike të vendit”, tha Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Operacionet policore konceptohen për të krijuar gjendje dhe përshtypjen e dorës së fortë të shtetit. Ky i fundit, me pjesëmarrjen e forcave të mëdha policore, në njëfarë mënyre ka krijuar përshtypjen se askush s’mund t’i ikë dorës së fortë të shtetit. Duke llogaritur shkallën e rrezikut, rezistencës dhe ndikimin në opinionin publik, besoj se është ndërtuar operacioni. Nëse personat e akuzuar në këtë rast do të shpalleshin të pafajshëm, do të ishte humbje e madhe për institucionet e policisë dhe drejtësisë. Tanimë ka filluar të krijohet një gjendje që mund të gjenerojë një përshtypje tjetër për drejtësinë në vend”, theksoi ai.