Site icon Telegrafi

Gashi tha se gjuha shqipe nuk është zyrtare, por e përkthyer – Fronti Europian kërkon dorëheqjen e tij

Deputetët e Frontit Europian sot në konferencë për shtyp kërkuan dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi, për shkak të deklaratës së tij, i cili tha se gjuha shqipe nuk është zyrtare, por është e përkthyer.

Deputetja e BDI-së Arbana Pasholli, e shoqëruar nga deputetët tjerë të koalicionit Fronti Europian, tha se në Amendamentin 5 i Kushtetutës përcakton qartë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase.

“Fronti Evropian shpreh indinjatën dhe revoltën e saj të thellë ndaj deklaratave të fundit të turpshme të Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Pohimi i tij, se gjuha e vetme zyrtare në vend është maqedonishtja, ndërsa gjuha shqipe është një “gjuhë e përkthyer,” përbën jo vetëm një gënjeshtër të hapur, por edhe një tradhëti të rëndë ndaj popullit shqiptar, historisë sonë dhe të drejtave tona të fituara me shumë mund”.

“Është tronditëse, por jo e habitshme, që zoti Gashi një person i përzgjedhur për të shërbyer si kukull në hierarkinë më të lartë të shtetit—të bjerë kaq poshtë, duke arritur nivele vetëposhtërimi që as anti-shqiptarët më të zjarrtë nuk kanë guxuar t’i prekin. Ky akt i turpshëm nënshtrimi dhe tradhëtie tregon jo vetëm mungesën e tij të integritetit, por edhe gatishmërinë për të minuar parimet kushtetuese të këtij shteti për të ruajtur karrigen e tij”.

Si Kryetar i Kuvendit, detyra e tij është të mbrojë Kushtetutën, të ruajë harmoninë ndëretnike dhe të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve—jo të përçajë, të mbjellë përçarje dhe të ulë dinjitetin e komunitetit të dytë më të madh etnik në vend. Kjo është një tradhti e përmasave të mëdha. Fjalët e Afrim Gashit tingëllojnë si retorika e atyre që historikisht kanë synuar të margjinalizojnë shqiptarët, të fshijnë identitetin tonë dhe të nëpërkëmbin kontributet tona në këtë shoqëri.

“Afrim Gashi nuk përfaqëson askënd veç vetes dhe interesave të ngushta të atyre që e vendosën në këtë pozitë. Ai nuk është një zë për popullin shqiptar dhe nuk mishëron vlerat, krenarinë apo aspiratat tona. Afrim Gashi ka kaluar një vijë që asnjë shqiptar nuk duhet ta kalojë. Historia do ta mbajë mend këtë tradhëti, dhe populli shqiptar nuk do ta falë. Kërkojmë dorëheqjen e tij të menjëhershme nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Ai do të mbetet turpi i popullit tonë, i historisë sonë”, tha deputetja.

Ndryshe, dje Gashi në një intervistë për Alsat tha se gjuha shqipe nuk është zyrtare por e përkthyer.

“Gjuhë e vetme zyrtare me të cilën shteti komunikon dhe institucionet flasin mes vete është gjuha maqedonase. Gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer. Unë po ju them të vërtetën ashtu siç është, nuk është diçka që mua më pëlqen, unë e kam kundërshtuar”, deklaroi Afrim Gashi./Telegrafi/

Exit mobile version