Testi i arritshmërisë për klasat e nënta këtë vit do të mbahet me 31 maj. Këtij testi pritet t’i nënshtrohen 26, 900 nxënës të klasave të nënta nga të gjitha shkollat e Kosovës.
Valmir Gashi, këshilltar i Ministrit të Arsimit, në një deklaratë për Telegrafin ka dhënë detaje për mbajtjen e këtij testi.
Ai ka thënë se testi do të organizohet në 109 qendra të testimit.
“Testi i arritshmërisë do të organizohet më 31 maj, kurse publikimi i rezultateve do të behet më 10 qershor. Testi organizohet në 109 qendra të testimit, dhe marrin pjesë të gjitha shkollat që kanë nxënës të klasës së nëntë. Numri total i nxënësve që do të marrin pjesë në test është rreth 26900 nxënës”, ka thënë ai.
Gashi ka treguar lëndët në të cilat do të mbahet testi, duke thënë se është i njëjtë sikurse viteve të kaluara.
“Formati i testit është i njëjtë si i viteve paraprake. Pra testi përmban këto lëndë : Gjuhë amtare, gjuhë angleze, histori,gjeografi, matematikë, informatikë, fizikë, kimi, biologji”, është shprehur ai.
Sipas tij në këtë test nuk ka kalueshmëri.
“Testi i klasës së nëntë nuk ka kriter të kalueshmërisë, por është test orientues. Rezultatet e testit vlejnë për regjistrim në klasën e dhjetë”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera ai ka thënë se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), në bashkëpunim me komunat ka caktuar qendrat e vlerësimit dhe është në fazën finale të përgatitjeve të testit.
“MASHT ka përgatitur instrumentet e vlerësimit, dhe në bashkëpunim me komunat ka caktuar edhe qendrat e vlerësimit. Po ashtu Ministria është në fazën finale të përgatitjeve për administrimin e testit”, ka thënë ai./Telegrafi/