Arben Gashi nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa (LAA) ka thënë sot se situata e krijuar pas ndërprerjes së sotme të seancës konstituiv shtyn LAA që të veprojë sipas rrethanave të reja konstituive ligjore.
Ai në një deklarim për media tha se qëndrimi i LDK-së është se duhet të votohen nënkryetarët e Kuvendit dhe të shikohen aspektet ligjore për vonesën e koalicionit PAN.
“Sjellja e PDK-së me aleatë është një sjellje bllokuese. LDK po shqyrton mundësitë alternative për të pa si mund të zgjidhet kjo situatë. Ne po shqyrtojmë seriozisht procedimin në Kuvend në mungesë të PAN-it. Ne duhet të shohim mundësinë e vazhdimit të seancës duke zgjedh nënkryetarët e Kuvendit derisa PDK të jetë e gatshme të vijë në Kuvend. Po shqyrtojmë mundësitë ligjore lidhur me këtë gjë. Rrethanat janë që duhet të krijojmë një gjendje të re”, ka thënë Gashi.
Duke iu referuar ultimatumit të kreut të AKR-së Behgjet Pacollit, Gashi ka thënë se LDK-ja është e interesuar që zgjidhja të bëhet më shpejt se sa 10 ditë.