Telegrafi

Gashi: Të ruajmë partneritetin ndërkombëtar, e jo të futemi në aventura si në qeverisjen e kaluar

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se kryeministri i vendit, Avdullah Hoti para dhe pas dialogut Kosovë-Serb duhet t’i raportoj Kuvendit të Kosovës.

Gashi tha se kryeministri i ka detyrat e veta kushtetuese nga të cilat nuk mund të ik.

“Kryeministri si përfaqësues i qeverisë i ka detyrat e veta kushtetuese me të cilat nuk mund të ik dhe ato janë përfaqësimi i vendit. Përveç që ka përfaqësimin e  vendit ka dhe mbrojtje  e interesit të vendit. Nuk mundet dhe s’duhet të krijoj situata ku Kosova të mbetet peng, a me Evropën apo Amerikën. Kryeministri nuk e ka zgjedh rrugën e konfliktit”, ka thënë Gashi.

Gashi tha se Qeveria e Kosovës e ka platformën e saj për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

Ai po ashtu tha se duhet ruajtur partneriteti me ndërkombëtarët, e jo siç tha ai të futemi në aventura si në qeverisjen e kaluar.

“Nëse flasim për platformë ne e kemi atë. Duhet ta ruajmë partneritetin ndërkombëtarë. Nuk duhet të futemi në aventura që na ka ndodh në qeverisjen e kaluar, por dhe të jemi të vendosur në strategjinë tonë. Izolimi dhe vet izolimi për të marr pjesë nuk janë zgjidhje, nuk e çojnë Kosovën përpara. Kosova nuk duhet që në mënyrë arbitrare të refuzoj ftesa ndërkombëtare, me arsyetimin se atje ka thika. Shkohet në vizita, deklarohet qëndrimi i Kosovës por nuk refuzohen. Ju ftoj që bashkarisht me gjuhën e diskutimit dhe debatit të gjejmë zgjidhje”, tha ndër të tjera Arben Gashi. /Telegrafi/