Pavarësisht humbjes në vendlindjet e tyre, Zijadin Sela i Aleancës për Shqiptarët dhe Billall Kasami i Lëvizjes Besa, ndihen fitues. Shefat e Shtabeve të këtyre partive, në emisionin 200 në ALSAT thanë se partitë e ndajnë këtë përshtypje vetëm falë rangimit në mes votuesve shqiptarë, ndërsa mbrohen duke thënë se votat që morën, ishin sukses duke marrë në konsideratë ndërhyrjen e pushtetit qendror në garën lokale.
Afrim Gashi nga Lëvizja Besa megjithatë tha se partia e tij do të analizojë rezultatet e zgjedhjeve duke e lënë të hapur mundësinë e largimit të liderit të parties.
”Po, do të shqyrtohet kjo. Te ne nuk ka liderë të përjetshëm. Te ne janë vlerat të përjetshme. Ideja është e përjetshme dhe jemi të bindur se për këtë ia vlen të jetohet, madje edhe të vdiset”tha Afrim Gashi, Lëvizja Besa.
Por nga Aleanca për Shqiptarët lanë të kuptojnë se një gjë e tillë, as që vihet në diskutim për liderin e tyre, Sela.
”S’ka kuptim pyetja” – u përgjigj Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët.
Lidhur me bashkëpunimin në të ardhmen të këtyre dy partive, shefet e shtabeve nuk dhanë përgjigje konkrete. Megjithatë nga Aleanca për Shqiptarët theksuan për Alsat se sipas të gjitha gjasave, kjo parti do të jenë në koalicion me Besën edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që të mbahen ato. Edhe Lëvizja Besa shpreson se koalicioni nuk do të ndërpritet, bazuar në ecurinë korrekte të koalicionit që funksionoi në raundin e dytë zgjedhor.