Publicisti Shkëlzën Gashi, duke kujtuar deputetët që kishin votuar kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës, ka kërkuar që të gravohen emrat e këtyre personave.
Ai në profilin e tij në Facebook, së bashku me një foto të Kuvendit të asaj kohe, ka informuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, se më 23 mars 2018 është 30 vjetori i asaj ngjarjeje kur Kosovës iu mor autonomia.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Gashit:
“Siç e dini, kjo fotografi është nga mbledhja e Kuvendit të Kosovës më 23 mars 1989, në të cilën u votua për heqjen e autonomisë së Kosovës, të vitit 1974. Në këtë mbledhje, ndonëse të kërcënuar e të rrethuar nga tanket serbe, 11 deputetë votuan kundër.
Lutje:
Duke pasur parasysh që këta 11 deputetë rrezikuan shumë për ta mbrojtur interesin e Kosovës, ju lus që të ndërmerrni diçka për nderimin e tyre, ndonëse shumica e tyre nuk janë më në mesin tonë. Duke i nderuar këta deputetë, mes tjerash, u çojmë mesazh deputetëve të tashëm e të ardhshëm se ‘…kur e mbron interesin e Kosovës, Kosova të nderon.
Sugjerim
Më 23 mars 2018 është përvjetori i heqjes së autonomisë së Kosovës, andaj do të ishte mirë që, të paktën, emrat e këtyre 11 deputetëve t’i gravoni në ndonjërin prej mureve të Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Gashi./Telegrafi/