Site icon Telegrafi

Javën e ardhshme mbahen dy seanca plenare

Kuvendi i Kosovës të martën dhe të enjten do të mbajë seancë plenare. Të martën deputetëve të Kuvendit do t’i drejtohet ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, ndërsa në seancën e së enjtes në rend dite do të jetë edhe rekomandimi për shkarkimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

Kështu u tha pas takimit të Kryesisë së Kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se javën e ardhme do të mbahet seanca e radhës ku pritet të shqyrtohet rekomandimi për shkarkimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

“Kryesia vendosi që do të ketë dhe një mbledhje tjetër të enjten dhe do të ketë një seancë të radhës ditën e martë, për të mirëpritur ministrin e Jashtëm të Italisë. Do të ketë dhe një seancë ditën e enjte. Çështja tjetër që do të shqyrtohet të enjten në seancë ka të bëjë me rekomandimin për shkarkimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës dhe e konsiderojmë që raporti i prezantuar është i mangët dhe tendencioz”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, një problem tjetër është edhe përfaqësimi i delegacionit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA).

Gashi theksoi se ka një tension të situatës për këtë përfaqësim nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), pasi siç tha Gashi nga pozita (LVV) thonë se Lista Serbe është në opozitë dhe jo në pozitë.

“Është për keqardhje tendenca e LVV-së për të prishur balancat e ndërtuara vite me radhë në Kosovë, sa i përket këtij përfaqësimi. Pasi MSA-ja ka një balancë të barabartë se do të ketë nga 13 anëtarë nga Kosova dhe 13 anëtarë nga Parlamenti Evropian, dhe këta 13 anëtarë nga Kosova duhet të jenë 7 nga pushteti dhe 6 nga opozita. Ndërsa LVV thotë se Lista Serbe nuk është në pozitë, por kanë një ministër, e kjo s’ka ndodh kurrë. Ata thonë se nuk kanë një koalicion formal me Listën serbe, e ka pas plotë qeveri tjera që s’kanë pas koalicion formal me Listën Serbe, por ata konsiderohen pushtet sepse e kanë një ministër dhe kjo po e dëmton interesin e Kosovës”, tha ndër të tjera Gashi. /Telegrafi/

Exit mobile version