Site icon Telegrafi

Fatmir Gashi i AAK-së: 100 euro për çdo qytetar, 170 euro kompanive që punësojnë gra, 40 euro për çdo fëmijë në çerdhe

Kandidati i AAK-së për deputet, Fatmir Gashi ka prezantuar planin ekonomik të kësaj partie për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Gashi ka thënë se programi i AAK-së është real dhe i realizueshëm e jo sa për të marrë vota.

Ai ka thënë se ka qenë mëse i nevojshëm fondi i rimëkëmbjes prej 1 miliardë eurove.

“100 milionë euro i marrim nga fondet e AKP. 200 milionë nga buxheti i shtetit. 100 milionë nga Fondi i Garancive Kreditore. 600 milionë tjera i marrim nga borxhi publik”, tha Gashi në T7.

Gashi thotë se programi i AAK-së parasheh ndarjen nga 100 euro për çdo qytetar të Kosovës.

“Këto mjete mund të shfrytëzohen vetëm me kartelë apo “vaucher” dhe qytetarët do të kanë të drejtë t’i përdorin në afat prej 60 ditëve vetëm për produkte vendore. Këto mjete mund të përdoren edhe për pagesën e rrymës apo shërbimeve komunale. Pra ky 170 milionësh vjen direkt te bizneset tona dhe ndihmon ato”.

Ai thotë se po ashtu parashihet të ndihmohen kompanitë që punësojnë gra.

“170 euro merr kompania për çdo grua që pranon në punë. Por kompania duhet të paguaj edhe pjesën tjetër të pagës për atë grua që punëson”.

Kandidati i AAK-së për deputet thotë se familjet do të ndihmohen për fëmijët që do të dërgojnë në çerdhe gjatë viteve 2021 dhe 2022.

“Për sa fëmijë që kanë e që do të dërgojnë në çerdhe do të ndihmohen me nga 40 euro. Sa fëmijë të kenë aq do të marrin”, tha ndër të tjera Fatmir Gashi./Telegrafi/

Exit mobile version