Site icon Telegrafi

Gashi: Rinia e Kosovës padrejtësisht po mbahet e mbyllur nga Evropa

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe organizatat “Access” dhe “Molla e kuqe” kanë mbajtur sot një performancë artistike me moton “Kosova është gati”, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.

Ata kanë vendosur një puzzle në qendër të kryeqytet, në sheshin “Nëna Terezë” në formë të derës e cila u hap pasi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, vendosi pjesën e fundit në të.

Dera ishte në formë të flamurit të Bashkimit Evropian dhe posa u hap të rinjtë kaluan përmes saj.

Përmes kësaj përformance organizatorët thanë se kanë dashur të i tregojnë Evropës se të rinjtë e Kosovës janë gati për të Evropë dhe po presin lirinë e lëvizjes së tyre.

Ministri Kujtim Gashi në fjalën e tij uroi rininë në ditën e tyre dhe tha se përmes këtij instalacioni duan t’i tregojnë Evropës se janë gati për në Evropë.

Sipas tij pas përmbushjes së kritereve për liberalizimin e  vizave  është e padrejtë që rinia e Kosovës të jetë ende e mbyllur. Por Gashi përsëriti premtimin qeveritar se vizat do të liberalizohen këtë vit.

“Shteti i Kosovës, të rinjtë e Kosovës duhet t’i kenë dyert e hapura për në Bashkimin Evropian, dhe jam shumë i bindur që ky aktivitet sotëm koincidon edhe me kriteret dhe ato që shteti i Kosovës i ka plotësuar kushtet për t’i pasur dyert hapur në Bashkimin Evropian. Besoj që ky vit të jetë viti kur të rinjtë e Republikës së Kosovës që padrejtësisht kanë pasë probleme me lëvizjen e lirë, të jenë të lirë, të barabartë me të gjithë të rinjtë e Evropës”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version