Site icon Telegrafi

Gashi: Me rezolutë do ta ndalojmë rritjen e çmimit të rrymës, LVV-ja e pamundësoi debatin në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje pasi kishte pamundësuar debatin në Kuvend lidhur me gjendjen e energjisë elektrike në vend.

Gashi ka shtuar se do të prezantohet një rezolutë që ndalon rritjen e çmimit të rrymës.

“Sot Kuvendi i Kosovës më saktësisht Lëvizja Vetëvendosje refuzoi që të debatoj lidhur me krizën energjetike në vend. Ne e përkrahëm kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës që të debatojmë për gjendjen e energjisë elektrike ku ne kishim idenë e një rezolute që ne e shohim zgjidhjen e krizës. LVV-ja i pamundësoi Kuvendit që të debatoj për gjendjen”, tha Gashi në një konferencë për medie, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, Qeveria është e paaftë ta menaxhoj krizën energjetike në vend.

Lexo po ashtu Tahiri: Vendi ynë po qeveriset nga njerëz të padijshëm, do ta ndalojmë rritjen e çmimit të rrymës

“Përveç paaftësisë së Qeverisë që të menaxhoj me krizën, sot u konfirmua mungesa e vullnetit që të merren seriozisht me çështjen e energjisë elektrike. Ajo që po vërehet si paaftësi e Qeverisë është fakti se, KEK prodhon 1,000 MegaWatt dhe këtë ia jep me 30 euro KEDS-it si shpërndarës i energjisë elektrike, ndërkohë kjo energji do t’i faturohet qytetarëve të Kosovës me 222 euro për MegaWatt apo 22 cent për KilloWatt”, shtoi ai.

Në fund, Gashi ka theksuar se do të bëhet propozimi i një rezolute që sipas tij do të ndaloj rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.

“Qytetarët do të paguajnë çmim më të lartë të energjisë elektrike së vendet evropiane, më lartë se në Francë, ku paga mesatare është dhjetë herë më e lartë se në Kosovë. Kjo është e papranueshme që të merret energjia elektrike më 6 centë dhe të dërgohet 22.4 centë. Ne jemi këtu që ta ndalojmë, pra do të propozojmë rezolutë që mos të ketë rritje të çmimeve”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Exit mobile version