Site icon Telegrafi

Gashi e quan të paaftë Qeverinë Kurti: Humbjet e qytetarëve po i promovon si fitore

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka hedhur kritika në drejtim të Qeverisë, duke e akuzuar atë se po krijon probleme për të fshehur problemet ekzistuese.

Gashi në një shënim në Facebook thotë se Qeveria humbjet e qytetarëve i promovon si fitore.

Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti për menaxhim jo të mirë të gjendjes me pandemi dhe për shkak të paralajmërimeve për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Paaftësia qeverisëse; humbjet e qytetarëve i promovon si fitore, gjersa feston në emër të suksesit imagjinar. Edhe një javë shtesë me rezultat të dobët. Nga paaftësia qeverisëse po sfidohet dhe dëmtohet mirëqenia e qytetarëve, ndërsa hallet e problemet e tyre vetëm sa shtohen përditë e më shumë”.

I pari i deputetëve të LDK-së, qeveritë populliste janë të tilla që në shumë raste për problemet e krijuara i fajësojnë edhe qytetarët.

“Paaftësia qeverisëse, zgjidhjet e problemeve i ka të thjeshta “Shto një problem për të shuar një tjetër”. Kjo terapi politike e ka origjinën te qeveritë e paafta dhe populliste, të cilat nuk ndalen me kaq, ngase fillojnë një fushatë të egër arsyetuese dhe fajësuese ndaj të gjithëve. Në shumë raste i fajësojnë edhe qytetarët. E pastaj vazhdojnë me propagandën e suksesit imagjinar, duke i mohuar të vërtetat e prekshme dhe të dëmshme, të jetueshme dhe reale. Kulmin e padrejtësisë e arrijnë kur humbjet e qytetarëve i promovojnë si fitore, gjersa festojnë në emër të suksesit imagjinar. E papranueshme. Krejt e padrejtë”.

Gashi thotë se  nuk mund t’i thuash qytetarëve: urime për rritjen e çmimeve.

“Apo, gëzohuni se tash e tutje do të keni mundësi të blini e të ushqeheni më pak”.

“Nuk mund t’i thuash qytetarëve: vlerësoni pozitivisht faktin që do ta paguani faturën e energjisë elektrike për 300% më shtrenjtë”.

“Apo, vlerësoni pozitivisht faktin se do të ngroheni më pak e do ta paguani më shumë, ndërsa ju prodhues do të punoni më pak ose aspak”.

“Nuk mund t’i thuash qytetarëve; përgëzime se po thyejmë rekord të zi me numër të të infektuarve. Nuk bën. Nuk duhet. Është keq”.

Për fund, Gashi thotë se “LDK është adresa e vetme dhe adekuate për zhvillimin e shtetit tonë të dashur”./Telegrafi/

Exit mobile version