Site icon Telegrafi

Gashi: Prokuroria të sqarojë kush gënjeu për sigurimin e vaksinave

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi gjatë intervistës për “Përballje” në Telegrafi.com/Foto: Ridvan Slivova

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar pasi Prokurori i Shtetit e ka autorizuar Policinë e Kosovës, për të iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se Prokuroria e Shtetit do të duhej të hetonte ministrin për mos furnizim të vendit me vaksina.

Postimi i plotë i Gashit:

“ Prokuroria e shtetit do të duhej të hetonte ministrin për mosfurnizim të qëllimshëm të vendit me vaksina, mbështetur në email-at e publikuar nga gazeta online Insajderi.

Gjithsesi , sapo u konfirmua nga Prokuroria e Shtetit se kanë inicuar rast për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”, duke u mbështetur në konferencën e Ministrit të Shëndetësisë ku u demantua lajmi për sigurim të vaksinave.
Duke qenë një lajm me rëndësi të posaçme, me qëllim informimin e publikut lidhur me çështje të një rëndësie jetike, media vetëm ka bërë punën e saj.
Tash janë dy çështje që Prokuroria duhet të sqaroj për organet e drejtësisë dhe qytetarët:
– A ka gënjyer Ministri i Shëndetësisë mbrëmë kur demantoi lajmin për sigurim të vaksinave – gjë që është dashtë të shoqërohet me padi për shpifje ndaj gazetës në fjalë?;
– Apo lajmi i gazetës online Insajderi.org paska qenë në fakt i vërtetë dhe është cilësuar tashmë si zbulim i fshehtësisë zyrtare?”, ka shkruar Gashi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar sot se, pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 426 të KPRK-së.

Ndërsa, drejtori i portalit “Insajderi”, Parim Olluri ka njoftuar se sot është marr në intervistim nga krimet e Rënda të Policisë së Kosovës për inicimin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, kjo pas publikimit të një informate të premten sipas të cilës ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka neglizhuar nënshkrimin e kontratës me kompaninë amerikane për furnizim me vaksina anti-COVID Pfizer dhe BioNetch. /Telegrafi/

Exit mobile version