Emërimin e Driton Gashit në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, si duket po e mirëpret edhe personeli i kësaj agjencie.
Ardhja e Gashit në këtë agjencion po vlerësohet si hap i duhur për momentin, porse për të pasur suksese nevojitet një reformë rrënjësore.
Puna e Gashit gjatë shërbimit të tij 11 vjeçar si udhëheqës brenda institucioneve qeveritare vlerësohet e kënaqshme dhe ardhja e tij në krye të AKI-së, sipas burimeve brenda këtij institucioni, pritet ta lehtësoj sidomos bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, me të cilët Gashit i ka rënë të bashkëpunoj kohë të gjatë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Sipas tyre, bashkëpunimi më i mirë me Policinë e Kosovës e rrit edhe efikasitetin e operacioneve.
Gashi do ta mbajë pozitën e shefit të AKI-së pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Agron Selimaj.
Nga 2005 deri në 2008, Gashi ka qenë zyrtar i lartë për siguri publike dhe analist politik në Zyrën e Kryeministrit. Kurse, nga 2008 deri më 2010, ai ka qenë këshilltar për trafikimin me qenie njerëzore në kuadër të UNDP-së.
Nga 2010 deri më 2013, Gashi ka qenë drejtor në Departamentin e Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ndërsa, prej vitit 2013 ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme. /Telegrafi/