Site icon Telegrafi

Gashi premton buxhet shtesë për Ulpianën dhe zgjidhjen e çështjes së pronave

Ministri i Kulturës, Rinise dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë ditës së sotme ka vizituar Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, prej nga ka thënë se nëse është e nevojshme do të ndaj buxhet shtesë me të vetmin qëllim që punimet të vazhdojnë dhe ky park të kthehet në një qendër turistike.

Gjatë kësaj vizite,ministri është njoftuar edhe me ecurinë e punimeve që po ndërmerren nga Instituti Arkeologjik, punime tjera në bashkëpunim me L’Ecole Normale Superiore –Paris dhe Universitetin e Prishtinës.

Ministri Gashi ka deklaruar se Qeveria e Kosovës, është e interesuar që ta zgjidhin çështjen e pronave në këtë lokalitet, në mënyrë që projekti të hapet edhe më tutje.

“Jemi këtu për të parë nga afër edhe çështjen e pronave, sepse ashtu siç dihet në këtë park ka edhe prona private dhe jemi të interesuar si Qeveri edhe si Ministri që ta bëjmë një zgjidhje sa i përket pronave. Në mënyrë që ky projekt të hapet edhe më tutje, duke e pasur parasysh gjithmonë rëndësinë e këtij lokaliteti për trashëgiminë kulturore, por edhe për Republikën e Kosovës. Është hera e tretë që prej se kam ardhur në krye të ministrisë që e vizitoj këtë park, gjithmonë për të treguar rëndësinë e madhe që ka ky vend për mua si ministër dhe për ministrinë. Edhe për të ndarë edhe fonde shtesë nëse ka nevojë vetëm e vetëm që këtu të vazhdojnë punimet dhe të mos ketë ndërprerje, me qëllim që këtë vend, këtë lokalitet ta kthejmë edhe në një vend atraktiv dhe për vizitor dhe për turizëm”, tha Gashi.

Kreu i dikasterit të Kulturës ka zhvilluar edhe një bashkëbisedim me studentë të Universitetit Veror, të cilët ishin duke bërë punë praktike në Parkun Arkeologjik.

Gjatë vizitës, ministri ishte i shoqëruar edhe nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, i cili tha studentët e Universitetit Veror po bëjnë një punë shumë të mirë në Ulpianë.

“Kjo ministri është duke mbështetur këtë edicion të 18 të Universitetit Veror që sic e pat edhe ju është duke bërë një punë shumë të mirë studentët nga shumë kontinente dhe shumë shtete kanë ardhur në UP të mësojnë gjëra të reja, të marrin kredi dhe të krijojnë miqësi. Ata studiojnë së bashku, vallëzojnë së bashku, këndojnë së bashku, por natyrisht edhe marrin njohuri. Nesër përfundon ky edicion, jemi shumë të kënaqur se ky edicion është një storie shumë e suksesshme e UP-së dhe çdo ditë po ka rritje të tij”, tha ai.

Studentët e Universitetit Veror, në kuadër të kursit të arkeologjisë, shtatë ditë të kursit janë duke i kaluar në Parkun Arkeologjik Ulpiana, kurs të cilin e japin dy profesorë, një vendor dhe një ndërkombëtar.

Kështu, profesori ndërkombëtar Jean Luc Lamboley, u shpreh i lumtur që në Kosovë po sheh që gjeneratën e ardhshme e arkeologjisë është gati për të studiuar dhe për të mbrojtur trashëgiminë e Kosovës.

“Është gjithmonë kënaqësi për mua që të kthehem në Ulpianë, në Kosovë. Mbaj mend se kemi filluar gërmimet në vitin 2005, ishte hera e parë që erdha në Prishtinë për gërmime dhe gjithashtu ishin ligjëratat e para të arkeologjisë në Universitetin Veror të Prishtinës dhe siç e shihni, ishte një përvojë e mrekullueshme sepse pas më shumë se 15 viteve jemi prapë këtu, ju jeni brezi i ri i studentëve kosovarë dhe të huaj dhe për mua është një kënaqësi e madhe sepse tani jam i vjetër dhe do të dal në pension vitin e ardhshëm mirëpo është një kënaqësi e madhe për mua të shoh se si gjenerata e ardhshme e arkeologjisë janë gati për të studiuar dhe për të mbrojtur trashëgiminë tuaj të bukur kosovare”, tha ai.

Ditët e kaluara në Parkun Arkeologjik Ulpiana, për studenten Diellza Muja janë një mundësi e mirë për të përfituar në anën profesionale.

“Ne si studentë të edicionit të 18 të Universitetit Veror të Prishtinës kemi pas nderin dhe kënaqësinë me i kalua shtatë ditë prej eksperiencës tonë këtu në parkun arkeologjik të Ulpianës. Për mua ka qenë me të vërtet një përvojë e mrekullueshme, besoj se ka ndikuar shumë në avancimin personal dhe profesional të studentëve”, tha ajo.

Ministri i Kulturës Kujtim Gashi, nga afër ka parë edhe punimet që janë duke u zhvilluar nga studentët e Universitetit Veror së bashku me ekipet nga Instituti i Arkeologjisë

Exit mobile version