Site icon Telegrafi

Gashi: Po shqyrtojmë mundësinë që Selimi të intervistohet në Prishtinë, gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë

Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi asnjëherë nuk është ftuar nga Prokuroria Speciale për tu intervistuar. Kështu të paktën ka deklaruar avokati i tij, Tomë Gashi.

Gashi në rrjetin social Facebook ka shkruar se ka konsultime, që Selimi të intervistohet në Prishtinë, kur gjendja e tij të normalizohet.

Duke folur për gjendjen shëndetësore të klientit të tij, Tomë Gashi shkroi se që nga data 5 janar Selimi po trajtohet në QKUK.

“Gjeneral Sylejman Selimi, ish Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nuk është ftuar asnjëherë nga Zyra e Prokurorit Special për t`u intervistuar në Hagë. Të gjitha kontaktet zyrtare në formë të shkruar me Zyrën e Prokurorit Special për intervistimin e tij në Prishtinë jemi duke i udhëhequr unë dhe avokatet Amerikan Gregor Guy Smith dhe Colleen Rohan. Gjendja shëndetësore e Gjeneral Selimit me vite të tëra është përkeqësuar, ai gjendjet në trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë që nga data 05.12.2018. Ne ekipi i avokatëve jemi duke negociuar me Zyrën e Prokurorit Special për intervistimin e z.Sylejman Selimit në Prishtinë për një datë të papërcaktuar kur gjendja e tij shëndetësore të normalizohet”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Ndryshe trajtimin e Sylejman Selimit në QKUK, e kanë konfirmuar zyrtarisht sot edhe zyra për informim e këtij institucioni. /Telegrafi/

Exit mobile version