Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi ka prezantuar raportin vjetor të kësaj Prokurorie për vitin 2024, duke thënë se për herë të parë është zbatuar Ligji për kompetenca të zgjeruara me konfiskim të aseteve 40 mijë euro.
Ai tha se është rritur edhe numri i zgjidhjes se lëndëve me metoda alternative, për çka tha se gjatë 2024-ës, përmes ndërmjetësimit kanë zgjidhur 681 lëndë, përmes marrëveshjes për pranim të fajësisë janë zgjidhur 188 raste, ndërsa përmes pezullimit të përkohshëm shprehur në vlerë monetare është 27 mijë e 859 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gashi shtoi se në 93.3% të vendimeve të Gjykatave janë marrë aktgjykime dënuese, 2.82% aktgjykime liruese dhe 3.84% aktgjykime refuzuese.
Kryeprokurori u shpreh se kanë pasur raste të sekuestrimit dhe konfiskimit, duke filluar nga vetura, banesa, parcela, narkotikë, e të tjerë.
I pari i Prokurorisë Themelore përmendi disa prej rasteve më të mëdha që ka trajtuar kjo Prokurori, si rasti AlbKings, rasti i Komunës së Prishtinës, rasti MASHT, e të tjerë.
Sfida kryesore, Gashi tha se ka qenë Njësiti Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, për arsye të lëvizjeve të shumta të prokurorëve, pasi Njësiti për një kohë jo shumë të shkurtër ka mbetur vetëm me dy prokurorë.
“Megjithatë, në kemi pas rezultate të theksuara, por rezultatet e prokurorëve që janë avancuar në këtë Njësit, do ta shohim në vazhdim”, u shpreh ai.
Lidhur më këtë, anëtari Veton Shabani, u shpreh se sistemi prokurorial e ka pasur gjithmonë luftimin e korrupsionit dhe ky Njësit u miratua me plan të sistemit, por që vit pas viti kanë vërejtje për këtë aspekt.
“Edhe këtë vit shihet që Njësiti nuk ka arritur të performojë përqindjen që kanë arritur sektorët tjerë brenda kësaj Prokurorie. Pyetje për Kryeprokurorin, a është e nevojshme ekzistimi i njësitit edhe më tutje apo ndoshta do të tregonte më shumë efikasitet shpërndarja e këtyre lëndëve tek gjithë prokurorët tjerë”, u shpreh Shabani.
Kryeprokurori Gashi u shpreh se ky Njësit patjetër duhet të ekzistojë dhe të parashihet në planet e punës.
“Është e domosdoshme Njësiti të ekzistojë sepse rezultatet e sekuestrimit që unë i paraqita në vlerën prej 20 milionë në vlera totale edhe për paluajtshmëri është shumica dërrmuese e shifrave që unë i përmenda janë rezultat i punës se Njësitit”, u shpreh Gashi.
Ai shtoi se nuk mundet një prokuror që nuk e ka përvojën e duhur në krime ekonomike të përfaqësojë një lëndë të tillë, andaj theksoi se është i rëndësishëm profilizimi.
Në anën tjetër, Kryeprokurori Gashi tha se objektivat kryesore kanë qenë rritja e efikasitetit të kryerjes se rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, dhunës ne familje, krimet mjedisore, ndërtimet pa leje, siguria në punë, mbikëqyrja dhe llogaridhënia, raportimi i punëve dhe efikasiteti, unifikimi i praktikave, bashkëpunimi ndërinstitucional, e të tjera.
Si sfidë tjetër, ai përmendi numrin e madh të lëndëve të gjitha natyrave, përfshirë krimet ekonomike, korrupsionin, numri i vogël i prokurorëve, numri i madh i seancave dhe numri i vogël për përfaqësim dhe numri i madh i lëndëve me kryerës të panjohur.
Sa i përket ankesave disiplinore për prokurorët, tha se kanë pranuar 20 ankesa, 16 prej tyre janë hudhur dhe 4 janë në shqyrtim nga autoriteti komptentet. Të gjitha vendimet, tha se janë publikuar në ueb. Me 10 vota për, ky raport u miratua nga Këshilli./BetimipërDrejtësi/