Site icon Telegrafi

Gashi për Konventën e LDK-së: Ridefinimi i të ardhmes së LDK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se me Konventën programore sot kanë filluar ridefinimin e të ardhmes së LDK-së.

Gashi tha se LDK-ja e sotme është trashëgimtare e dinjitetshme e 30 viteve të fundit, por që si parti iu duhet të ridefinojnë strukturën, programin dhe të përcaktojnë idetë.

“Ne ramë pothuajse në dakordësi me të gjithë panelistët se LDK-ja e sotme është trashëgimtare e dinjitetshme e 30 viteve të fundit por duhemi të ridefinojmë strukturën, duhet të ridefinojmë programin dhe duhet të përcaktojmë po ashtu idetë. Në këtë mënyrë në sot po diskutojmë bashkërisht dhe nesër do të punojmë me grupet e ekspertëve dhe puna jonë do të vazhdojë për 5-6 muajt e ardhshëm deri në nxjerrjen e programit politik të LDK-së dhe programit qeverisës të LDK-së. Sot po fillojmë ridefinimin e të ardhmes së LDK-së mbi trashëgimin e dinjitetshme dhe krenare të saj”, u shpreh Gashi, raporton KP.

I pyetur për mos praninë në konventën e partisë të ish-liderëve të LDK-së, Isa Mustafa dhe Fatmir Sejdiu, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arben Gashi u shpreh se këto dy personalitete janë shumë të nderuara dhe të respektuara nga LDK.

“Zotëri Mustafa dhe Sejdiu janë njerëz të nderuar të LDK-së, kjo është konventë punuese dhe normalisht sot po punojmë dhe meqenëse janë ish-kryetarë janë njerëz të nderuar dhe mysafirë të respektuar në të gjitha strukturat e LDK-së”, theksoi Gashi. /Telegrafi/

Exit mobile version