Arben Gashi ka thënë se Thaçi është i obliguar të respektoj rezolutën e mundshme nëse kalon, ndryshe bën shkelje kushtetuese, ka pasoja penale.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka thënë se në ish-Jugosllavi janë zhvilluar luftëra të mëdha dhe janë shënuar rreth gjysmë milion viktima, por kufijtë e republikave nuk janë ndryshuar.
“Janë vrarë me qindra mijëra njerëz dhe shumë tjerë janë zhvendosur, por kufijtë nuk kanë lëvizur”.
Ai në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se Thaçi nëse nuk e respekton një rezolutë të mundshme të Kuvendit Të Kosovës, bën shkelje ligjore dhe duhet të përballet me shkarkim dhe si pasojë të ndiqet edhe penalisht.
“Është i obliguar të respektoj rezolutën, ndryshe bën shkelje kushtetuese, ka pasoja penale dhe bën tradhti ndaj shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Është vepër e veçantë në kodin penal të Republikës së Kosovës dhe duhet të veprojnë institucionet. Nëse konstatohet shkelja në Gjykatën Kushtetuese, atëherë automatikisht shkarkohet dhe ndiqet penalisht”.
Gashi ka thënë se idetë për shkëmbime territoresh nuk duhet injoruar, pasi ka disa studime ndërkombëtare të përkrahura nga “Soros” që mbështesin këto ide, por ide të tilla mbështeten edhe nga një pjesë e Qeverisë së Shqipërisë.
“Ka studime ndërkombëtare të përkrahura nga “Soros” që favorizojnë këto shkëmbime territoriale, ka një përkrahje edhe nga qeveria zyrtare në Shqipëri. Si iniciativë ka filluar para rreth 7-8 muajsh dhe nuk duhet injoruar”.
Deputeti i LDK-së ka thënë se Presidenti nuk ka kompetenca të merret me këto punë, por këto kompetenca i ka qeveria që ia ka deleguar Kuvendi i Kosovës.
“Por problemi është se kryeministri aktual, është shprehur i pagatshëm të merrem me këto detyra kushtetuese”, deklaroi më tej Arben Gashi./Telegrafi/