Sonte në Komunën e Prishtinës janë konfirmuar 13 raste të reja me coronavirus.
Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bujar Gashi thotë për RTV Dukagjinin se këto shifra janë si rezultat i 160 testimeve.
“Nesër priten rezultatet e rreth 140 të testuarve tjerë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Gashi thotë se me këto 13 raste numri i përgjithshëm i të prekurve me COVID-19 në Prishtinë ka shkuar në 126.
Duke folur për rastet pozitive të ditës së sotme Gashi thotë se këto janë raste kontakti të rasteve të fundit që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
“Përjashtim bëjnë katër raste që janë testuar direkt në Klinikën Infektive dhe nesër njoftohemi më në detaje nëse janë raste kontakti”.
Gashi ka folur edhe për testimin e fëmijëve të çerdheve publike duke dhënë lajme të mira.
“Është pozitive se të gjithë fëmijët së bashku me edukatoret e dy çerdheve kanë rezultuar negativ pas testimit”.
Kujtojmë me këto 13 infektime numri i rasteve aktive në Prishtinë shkon në 51./Telegrafi/