Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka thënë se të premten kur do të shënohet Dita e Çlirimit të kësaj komune, do të bëhet edhe hapja solemne e Shtëpisë së Kulturës “Xhavit Haziri”.
Ai tha se në hapjen solemne të Shtëpisë së Kulturës do të jenë të ftuar të gjithë liderët e vendit, si pozita po ashtu edhe opozita.
“Nesër do të jetë tubimi qendror i ditë së çlirimit, dhe nesër do të hapet Shtëpia e Kulturës, në Obiliq. Do të jenë të ftuar edhe personalitetet e vendit”, ka thënë Gashi.
Gashi po ashtu foli edhe për ndërtimin e banesave për familjet me raste sociale si dhe kategoritë e dala nga lufta, transmeton Telegrafi.
“Që dy muaj është nxjerr një vendim i ri, ku komisionet do t’i formoj komuna. Komisionit janë formuar. Këto banesa do të ndërtohen për rastet sociale dhe kategoritë e dala nga lufta. Javën e ardhshme nëse fillon punën komisioni, mund të fillojnë punimet dhe besoj edhe aplikimet e familjeve. Mundësia është e madhe pasi janë 77 banesa”, u shpreh ai.
E sa i përket punimeve në shesh të kësaj komune, Gashi theksoi se punimet janë duke u zhvilluar dhe se mendohet të përfundoj këtë vit ose vitin e ardhshëm.
“Punimet në shesh janë duke u zhvilluar. Njëra pjesë e rrugës është e bllokuar. Vitin e ardhshëm në qershor përmbyllet kontrata, por shpresojmë që do ta përmbyllim këtë vit. Ka mjete të mjaftueshme”, tha Gashi. /Telegrafi/